Showbiz

Platforma Netflix i doli në mbrojtje komedianit Dave Chappelle

Descriptive Text

Netflixi po e mbështet komedianin, Dave Chappelle, pas kritikave të shumta të publikut rreth shout të tij special, “The Closer”.

Shefat ekzekutiv të platformës së njohur digjitale thonë se ky projekt nuk promovon diskriminim dhe urrejtje, siç është akuzuar nga komuniteti i transeksualëve, dhe do të vazhdojë të transmetohet për gjithë parapaguesit e Netflixit.

Tutje, kompania gjigante iu përgjigj raportimeve të pabaza se gjoja i kanë suspenduar tre punëtorë, për shkak se e kanë kritikuar shoun e komedianit të famshëm në rrjetet sociale.

“Është absolutisht e pavërtetë të thuhet se e kemi suspenduar ndonjë punëtor për shkak se e kanë shprehur mendimin e tyre të lirë rreth shout. Punëtorët tanë inkurajohen vazhdimisht t’i shprehin mospajtimet e tyre publikisht, si dhe i mbështesim të drejtat e tyre për të vepruar kështu”, thuhej në një komunikatë për media të lëshuar nga Netflixi.

Sipas një personi të njohur me çështjen, tre punonjësit në fjalë morën pjesë në një takim tremujor për drejtorët e kompanisë dhe nënkryetarët, pa marrë autorizim. Besohet se vetëm një punëtor është pezulluar si rezultat i një hetimi.

Me t’u lansuar shou special, “The Closer”, javën e kaluar, Chappelle u pushtua nga kritikat e ashpra të komunitetit LGBTQ+ të cilët pohojnë se marka e komedianit është bërë sinonim me talljen e njerëzve trans dhe komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

Sa i përket kritikave kundër yllit të komedisë, zëdhënësit e tij nuk kanë pranuar të komentojnë rreth rastit.