Showbiz

Adele bënë të ditur datën e lansimit të këngës “Easy On Me”

Epoka e re e Adeles po afron, prandaj këngëtarja i ka njoftuar fansat me datën e saktë të lansimit të këngës së shumëpritur nga publiku, e cila njëkohësisht e shënon rikthimin e saj në muzikë, “Easy On Me”.

Të martën më 12 tetor, ylli i hitit “Hello” e postoi një fotografi promovuese të projektit në rrjetet sociale, ku shfaqet profili mahnitës i këngëtares në bardh e zi, ilustruar me emrin e këngës dhe datën e lansimit të saj.

Postimin, Adele e shoqëroi me disa informata shtesë me ç’rast kishte shkruar: “Easy On Me lansohet më 15 tetor, në mesnatë në Britani të Madhe”.

Fituesja e shumëfishtë e çmimit “Grammy” po ashtu tregoi se kjo do të jetë kënga e parë nga albumi i saj i ardhshëm, e cila po ashtu do të jetë e shoqëruar me videoklip.

Ylli britanik duket se ka vendosur që në albumin e ardhshëm t’i eksplorojë përjetimet e vjetëve të fundit në jetën personale, dhe mezi pret që fansat e saj besnik t’i dëgjojnë këngët e reja. Kështu ka deklaruar Adele në intervistën e fundit për revistën “Vogue”, me ç’rast foli për albumin ende të patitulluar, ani pse fansat po spekulojnë se mund të titullohet “30”.

“Më duket se ky album është vetëshkatërrues, pastaj vetë-reflektim dhe një lloj vetë-çlirimi. Por, po ndihem gati. Unë me të vërtetë dua që kësaj radhe, njerëzit të dëgjojnë anën time të historisë”.

{gallery}

Fansat kanë një kohë të gjatë që po e presin publikimin e albumit të katërt të kantautores së njohur britanike. Incizimet e saja të kaluara, “19”, “21” dhe “25”, që të gjitha kanë arritur të pozicionohen në maje të toplistave muzikore anembanë botës, përfshirë këtu toplistën e 200 albumeve më të mira “Billboard”.

Këngëtarja 33-vjeçare nuk ka lansuar album nga viti 2015 dhe pavarësisht faktit se i ka kaluar këta 12 muajt e fundit duke u fokusuar tek vetja, pas shkurorëzimit nga bashkëshorti, Simon Konecki, ajo duket se është e lumtur të rikthehet në qendër të vëmendjes së publikut.

Ylli i muzikës i lindur në Londër, besohet se po planifikon ta shënojë lansimin e albumit të saj të katërt të incizuar në studio, me një koncert në Las Vegas. Performanca mbahet më 10 dhjetor dhe do ta transmetohet anembanë botës. Po ashtu, së fundmi në mediat e huaja u deklarua se, Adele, mund t’i organizojë disa koncerte në Las Vegas të cilat planifikohet të zënë vend vitin e ardhshëm. Ylli i hitit “Someone Like You” besohet se është e gatshme t’i bashkohet listës së legjendave të muzikës që kanë performuar për fansat në Las Vegas, të tillë si Sir Elton John, Mariah Carey dhe Lady Gaga. Ajo do t’i mbajë disa performance në lokacionin e famshëm turistik “Las Vegas Strip”.

Adele konsiderohet një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore të shndërruara në hite anembanë botës.