Showbiz

George Clooney e ndoqi premierën londineze të filmit “The Tender Bar”

Foto: AP/Associated Press

U mbajt premiera e filmit “The Tender Bar” në Londër, dhe i pranishëm mbi qilimin e kuq të shtruar me këtë rast parakaloi edhe regjisori dhe aktori i njohur hollywoodian, George Clooney.

Para gazetarëve të pranishëm, ndër të tjera ai foli edhe për fëmijët e tij, duke treguar se po e shijon shumë rolin e prindit por mendon se po gabon duke i inkurajuar ata që të bëjnë shaka.

“Unë jam një burrë i tmerrshëm. Jo, më pëlqen roli i babait. Me të vërtetë jam duke e kaluar kohën më të mirë të jetës sime me fëmijët e mi. E di që gjithçka po e bëjë gabim sepse po bëjë gjëra të cilat jam i vetëdijshëm se do t’i ngatërrojnë fëmijët e mi. ata do të rriten me mendimin se është në rregull të bësh shaka gjatë gjithë kohës, duke vënë Nutella në këpucë dhe të shtiresh kinse ajo është jashtëqitje. Pra, ata do të mendojnë se një veprim i tillë është qesharak. Këto gjëra mund të mos jenë të pranueshme kur ata të shkojnë në shkollë”, tha Clooney.

Në premierën londineze, Clooney shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Amal. Ai tregoi se kjo ishte hera e parë që ka veshur kostum klasik në dy vjetët e fundit, derisa gruaja e tij vishet me rroba elegante gjatë gjithë kohës, edhe gjatë pandemisë.

“Epo, është shumë argëtuese të takosh njerëz sërish. Sinqerisht kjo është hera e parë qe një kohë të gjatë që po shoh kaq shumë fytyra të mbledhura në një vend, dhe është një ndjenjë mjaft e mirë. Po e shijoj shumë këtë premierë dhe gjithashtu kjo është hera e parë që po vesh kostum në dy vjetët e fundit. Po ndihem paksa çuditshëm. Ajo vishet në mënyrë elegante gjatë gjithë kohës. Në mëngjes ajo vjen për ta pirë kafen së bashku, dhe është e veshur kështu. Në fakt, kështu duket pothuajse çdo ditë”, tha regjisori duke bërë shaka.

Në projektin kinematografik “The Tender Bar” luan miku dhe kolegu i kamotshëm i Clooneyt, Ben Affleck.

“Beni nuk më pëlqen. Po bëjë shaka. Më leni t’iu tregoj diçka, ai është një person i mrekullueshëm, i talentuar dhe është argëtuese ta shohësh atë në një rol i cili tregon se çfarë di të bëjë ai. Më pëlqen shumë të punojë me të. Nëse do të kisha mundësi të punoja vetëm me miqtë e mi, Ben Affleck, Matt Damon, Brad Pitt dhe Julia Roberts, do të ishte vërtetë një mrekulli”.

Filmi e rrëfen historinë e një të riu i cili dashurinë prindërore dhe udhëzimin për jetë, e gjen tek xhaxhai i tij Charlie.

“The Tender Bar” bazohet në librin me kujtime të autorit J.R. Moehringer dhe filmi pritet të lansohet nëpër kinema të limituara nga 17 dhjetori, para se të fillojë së transmetuari në platformën digjitale Amazon Prime, më 7 janar të vitit 2022.