Showbiz

Kim Kardashian bëri shaka në emër të saj dhe familjes në shoun “SNL”

Kim Kardashian bëri shaka në emër të pothuajse tërë familjes së saj, përfshirë këtu edhe reperin Kanye West dhe bateristin Travis Barker, gjatë prezantimit të emisionit “Saturday Night Live”, të shtunën më 9 tetor.

Kjo ishte hera e parë që ylli televiziv e prezantoi një prej emisioneve më të vjetra komike, derisa në këtë episod mysafire muzikore ishte këngëtarja, Halsey.

Gjatë monologut të saj, 40-vjeçarja Kardashian bëri shkak për shkurorëzimin nga bashkëshorti Kanye West.

“Kam qenë e bekuar në këtë jetë dhe jam falënderuese për gjithçka. Dua të them, u martova me reperin më të mirë të të gjitha kohëve. Ai jo vetëm që është afrikano-amerikani më i pasur në Amerikë, por ai gjithashtu është një gjeni i talentuar i cili mi dha katër fëmijë të mrekullueshëm. Prandaj, kur e mora vendimin për t’u shkurorëzuar nga ai ishte për një gjë të vetme, personaliteti i tij. E di që kjo gjë tingëllon ashpër, por njerëzit vazhdimisht më thonë se komedia vjen nga gjërat e vërteta”.

Tutje, Kardashian mori pjesë edhe në disa skeçe humoristike të këtij shou. Një prej tyre titullohej “The People’s Kourt”, ku ajo e personifikoi motrën e madhe, Kourtney, dhe bëri shaka me lidhjen e saj romantike me bateristin e grupit “Blink-182”, Travis Barker. Në disa skeçe tjera, ajo u shoqërua edhe nga anëtaret tjera të familjes, Kris Jenner dhe Khloe Kardashian, si dhe në një prej tyre Kim i shpërfaqi aftësitë e saj në këndim.

Në përgjithësi komentet e publikut rreth performancës së Kimit ishin pozitive, marrë parasysh faktin se ajo nuk ka ndonjë eksperiencë të madhe në aktrim dhe nuk është komediane.

Javën e kaluar u bë e ditur se Kanye West po e ndihmonte yllin televiziv në përgatitjet e saj për ta prezantuar emisionin “SNL”. Nga viti 2005, reperi i famshëm është paraqitur si mysafir muzikor i shout, gjithsej shtatë herë.

Në anën tjetër, këngëtarja Halsey u bashkua me ish-kitaristin e rok bendit “Fleetwood Mac”, Lindsey Buckingham, për një performancë emocionuese të këngës “Darling”, si dhe e dha një interpretim të mrekullueshëm të hitit të saj “I Am Not A Woman, I’m A God”. Kjo është hera e katërt që pop ylli Halsey merr pjesë si mysafire muzikore e emisionit “Saturday Night Live”.