Showbiz

“Venom 2” po i kryeson arkat filmike të Amerikës Veriore

“Venom: Let There Be Carnage” debutoi me sukses të jashtëzakonshëm në arkat filmike të Amerikës Veriore, duke u pozicionuar në vendin e parë të listës falë 90 milionë dollarëve të fituara. Njëkohësisht, filmi e ka shënuar hapjen më të mirë nëpër kinema prej fillimit të pandemisë. “Venom: Let There Be Carnage”, ishte planifikuar të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 2 tetori vitit 2020, por për shkak të pandemisë studioja filmike prapa këtij projekti me buxhet të lartë, “Sony Pictures”, ishte dashur ta shtyjë atë disa herë. Në film, Tom Hardy e përsërit rolin e Venomit krahas personazhit të keq Carnage, i cili në këtë vazhdim portretizohet nga aktori Woody Harrelson. Krahas tyre në film luajnë edhe aktorë tjerë yje, si Stephen Graham, Naomie Harris dhe Michelle Williams.

Në pozitën e dytë renditet filmi i animuar, “The Addams Family 2” i cili edhe një herë e sjell në ekran, familjen jo të zakonshme e cila kësaj radhe e fillon një aventurë të re, teksa nisen për pushime. Komedia e zezë që vjen në formë të animacionit, arriti që në javën e parë të lansimit t’i arkëtojë gjithsej 17.3 milionë dollarë. Zërat për personazhet e këtij projekti i kanë huazuar disa prej aktorëve më të njohur të hollywoodit, si Oscar Isaac, Charlize Theron, Chloë Grace Moretz, Nick Kroll, Javon Walton, Snoop Dogg, Bette Midler dhe Bill Hader.

Filmi i ri i bazuar në Universin Kinematik Marvel, “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”, vazhdon të ketë performancë të jashtëzakonshme në arkat filmike të Amerikës Veriore. Projekti i fundit me superheronj i kryesoi majat e kësaj liste për disa javë kurse tani ka rrëshqitur në pozitën e tretë falë 6 milionë dollarëve të fituara ekstra. Nga debutimi i tij nëpër kinema më 3 shtator, “Shang-Chi” ka arritur t’i arkëtojë 206 milionë dollarë nga shitja e biletave në Amerikë dhe Kanada.

“Shang-Chi and The Legend of the Ten Rings” është filmi i parë i bazuar në librat komik “Marvel” i cili fokusohet tërësisht në një superhero aziatik. Kjo aventurë e re e sjell aktorin Simu Liu në rolin protagonist të mjeshtrit të artit marcial Kung Fu, i cili konfrontohet me ta kaluarën e tij që është munduar shumë ta lërë prapa. Pjesë e kastës së aktorëve janë edhe yjet: Awkwafina, Tony Leung, Fala Chen, Meng’er Zhang, Florian Munteanu, Ronny Chieng dhe Michelle Yeoh.

I katërti në listë renditet filmi “The Many Saints of Newark”, i cili debutoi me sukses në arkat filmike falë arkëtimit të 5 milionë dollarëve. Projekti i ri fokusohet në vitet formuese të bosit famëkeq të mafisë, Tony Soprano, i cili në serialit hit të kanalit “HBO” ishte personifikuar nga aktori James Gandolfini. Djali i tij, Michael Gandolfini, tani e luan Tony Sopranon në moshë të re. Anthony Soprano po rritet në një prej epokave më problematike në historinë e Newarkut, duke u s ndërruar nga një djalosh i ri në burrë të rritur, në kohën kur gangsterët rival fillojnë të ngritën në pozitë dhe ta sfidojnë dominimin e familjes së plotfuqishme të krimit, DiMeo, mbi qytetin gjithnjë e më të shkatërruar. I ngatërruar në këto kohëra ndryshuese është edhe xhaxhai të cilin Anthony e adhuron, Dickie Moltisanti, i cili ballafaqohet t’i menaxhojë përgjegjësitë e tij profesionale dhe personale dhe ndikimi i së cilit mbi nipin, ndihmon në shndërrimin e një tinejxheri mbresëlënës, në një prej shefave më të fuqishëm të mafisë të cilin bota e njeh sot, Tony Soprano. Filmi vjen me regji të Alan Taylorit, kurse pjesë e kastës së aktorëve janë: Alessandro Nivola, Vera Farmiga, Leslie Odom Jr, Jon Bernthal, Corey Stoll, Billy Magnussen, John Magaro dhe të tjerë.

Top-pesëshja këtë javë plotësohet me filmin “Dear Evan Hansen”. Mjuziklli i cili i takon zhanrit dramë, arriti që në javën e dytë të shfaqjes nëpër kinema t’i arkëtojë gjithsej 2.5 milionë dollarë nga shitja e biletave. “Dear Evan Hansen” bazohet në shfaqjen muzikore të vitit 2015, me të njëjtin emër, dhe në rolet kryesore i sjell disa aktorë të njohur të hollywoodit, si Ben Platt, Juliane Moore, Amy Adams dhe të tjerë.