Showbiz

Ronda Rousey është bërë nënë për herë të parë

Foto: AP/Associated Press

Ylli i sportit të mundjes “WWE”, Ronda Rousey, është bërë nënë për herë të parë.

38-vjeçarja e cila e gëzon edhe një karrierë si aktore e filmave të zhanrit aksion, e solli në jetë fëmijën e parë me bashkëshortin, Travis Browne, dhe vendosi që t’i ndajë dy fotografi të vajzës së tyre të vogël, me gjithë ndjekësit në rrjetet sociale.

Përmes këtij postimi ku shihet vetëm dora e vogël e foshnjës teksa e ledhaton nënën, Ronda dhe babanë Travis, çifti ka vendosur të tregojë se vajzën e vogël e kanë pagëzuar, La’akea Makalapuaokalanipō Browne.

Ky është fëmija i parë i aktores kurse bashkëshorti i saj tashmë i ka edhe dy fëmijë, Kaleo dhe Keawe, nga martesa e tij e mëparshme. Në të kaluarën ajo kishte folur për faktin se është bërë njerkë dhe si ka arritur të përshtatet në jetën e re familjare, duke thënë se e lumturon fakti që është mësuar të kujdeset edhe për njerëzit e tjerë, e jo vetëm për veten.

Publiku tashmë ishte në dijeni se çifti ishte në pritje të një vajze, kjo pasi e kishin zbuluar gjininë e foshnjës përmes një ndeje me tematikën e “Pokemon”, të cilën më pas e ndanë edhe me ndjekësit e tyre në rrjetet sociale.

Ronda Rousey shquhet për rolet e saj në filma të njohur hollywoodian, të tillë si “The Expendable”, “Fast and Furious 7”, “Mile 22”, “Entourage”, “Charlie’s Angels” dhe të tjerë.