Showbiz

“Disney” në pritje të lansimit të filmit të ri të animuar “Encanto”

Filmi i ri i animuar i studios “Disney” me titull, “Encanto”, do të qëndrojë ekskluzivisht nëpër kinema për një periudhë kohore prej 30-ditësh, para se të fillojë së shfaquri në platformën digjitale “Disney+”, në natën e Krishtlindjeve.

Strategjia e re e lansimeve e kompanisë “Disney” duket se vjen si rezultat i performancës së dobët të filmit “Black Widow”, i cili u publikua në formë hibride dhe kështu pësoi humbje të konsiderueshme në arkat filmike. Kjo gjë bëri që ylli i këtij projekti, Scarlett Johansson, ta paditë studion e famshme filmike për shkelje të kontratës.

Kurse, filmi “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”, po shënon suksese më të mëdha se që është parashikuar, pas vendimit të studios për ta lansuar atë ekskluzivisht nëpër kinema. Prandaj për t’i rritur fitimet në arkat filmike dhe për t’iu shmangur padive tjera, “Disney” ka vendosur t’i kthehet stilit të lansimit të filmave me buxhet të martë fillimisht nëpër kinema, e pastaj në platformën digjitale.

“Encanto” vjen me regji të dyshes, Byron Howard dhe Jared Bush, të cilët njihen për realizimin e projektit hit të arkave filmike, “Zootopia”. Skenari i filmit është bashkëshkruar nga Charise Castro Smith, derisa në të përfshihen edhe këngë origjinale të yllit hollywoodian, Lin-Manuel Miranda.

Me një ngjarje e cila zë vend në Kolumbi, “Encanto” e rrëfen historinë e familjes Madrigal dhe jetën e tyre në një shtëpi magjike. Të gjithë fëmijët e kësaj familjeje e kanë një superfuqi të jashtëzakonshme, përveç së voglës Mirabel e cila ka lindur pa ndonjë aftësi magjike. Sidoqoftë, edhe pse nuk posedon superfuqi, Mirabel përfshihet në një aventurë interesante për ta shpëtuar shtëpinë e saj, në momentin që familja Madrigal vihet në rrezik.

Filmi i animuar “Encanto” do të lansohet nëpër kinema më 24 nëntor, kurse në platformën “Disney+” fillon së shfaquri nga 24 dhjetori.