Showbiz

Babai i Britneyt ia monitoronte asaj edhe telefonin

Babai i Britney Spearsit, Jamie Spears, e ka kontrolluar aq shumë jetën e vajzës së tij, saqë i ka monitoruar edhe mesazhet dhe thirrjet telefonike të saj dhe madje edhe historikun e shfletimeve në internet, thuhet në një dokumentar të ri.

Një ish-anëtar i ekipit të sigurisë së yllit të muzikës pop ka thënë në dokumentarin “The New York Times Presents: Controlint Britney Spears”, se atij i është kërkuar që të “vendosë kontroll prindëror” në telefonin e këngëtares së hitit “Toxic”. Këtë telefon, artistja tashmë 39-vjeçare, e kishte për obligim ta mbante për të qenë nën kontroll të babait të saj, që ishte vënë me vendim të një gjykate, dhe i cili ia kishte kufizuar jetën asaj në 13 vitet e fundit.

“Britney dëshironte të kishte një iPhone, dhe kjo u bë e madhe. Të gjithë ishin të brengosur”, ka deklaruar Alex Vlasov, i cili ka punuar për Black Box Security nga viti 2012 e deri në vitin 2021.

“Shefi im Edan Yemini, mu afrua dhe më pyeti nëse kisha dijeni për ndonjë shërbim monitorimi për një iPhone. Dhe unë i thash, çka nënkupton? Dhe ai më pas tha “E kam fjalën për kontroll prindëror”, ka thënë ai, në dokumentarin i cili u publikua të premten.

Vlasov ka deklaruar se ishte aq i shqetësuar nga kërkesa e Yeminit saq menjëherë kishte kërkuar të dijë për ligjshmërinë e një veprimi të tillë.

Ai më pas ka shtuar se ekipi kishte përfunduar duke bërë atë që ka kërkuar Yemini, duke i dhënë në këtë mënyrë akses të plotë babait të Britneyt që të mund të shihte gjithçka që Britney bënte në telefonin e saj.

Britney, ka qenë nën kontroll të babait të saj që nga viti 2008, ndërkohë që krejt këtë e ka quajtur “abuzive” gjatë një paraqitjeje në gjykatë këtë verë, për të kërkuar përfundimin e mbikëqyrjes.

Ndërkohë, babai i saj 69-vjeçar, në fillim të këtij muaji ka kërkuar përfundimin e kontrollit. Vendimi lidhur me kërkesën e tij pritet të merret gjatë seancës gjyqësore e cila do të mbahet më 29 shtator.