Showbiz

Johnson, Reynolds dhe Gadot protagonistë të filmit “Red Notice”

Tre prej yjeve më të mëdhenj të filmave aksion në Hollywood, Dwayne “The Rock” Johnson, Ryan Reynolds dhe Gal Gadot, janë përfshirë në projektin e ri të platformës Netflix me titull, “Red Notice”.

Tema të cilën filmi e trajton është mjaft e thjeshtë. John Hartley i portretizuar nga Johnsoni, është një agjent i FBI-së me parime të mira të cilit i caktohet detyra t’i sjell para drejtësisë disa prej kriminelëve më të mëdhenj në botë. Pa e menduar dhe planifikuar, ai ndeshet me dy hajdutë rival në mes të një grabitjeje, Nolan Booth i portretizuar nga Reynolds dhe The Bishop, e portretizuar në film nga Gadot.

John vendos ta bëjë një marrëveshje me Nolanin për t’i ndihmuar ta arrestojë hajduten e talentuar, The Bishop, dhe si shpërblim për ndihmën e tij, i premton Nolanit se do ta shpëtojë nga telashet me të cilat është ngatërruar.

Përveç skenave të shumta aksion, filmi përmban edhe dozë të mirë të komedisë të cilën e sjell aktori, Ryan Reynolds.

Ylli i serialit “The Umbrella Academy”, Ritu Arya dhe aktori i “Silicon Valley”, Chris Diamantopoulos, janë po ashtu pjesë e kastës së aktorëve të filmit, i cili vjen me regji dhe skenar të Rawson Marshall Thurber.

Fillimisht filmi ishte planifikuar të lansohet nëpër kinema, para se Netflixi ta blinte atë nga studioja “Universal”, në verën e vitit 2019. Ky do të jetë projekti më i shtrenjtë i platformës së njohur digjitale deri më tani, me një buxhet të realizimit prej 200 milionë dollarësh.

“Red Notice” e shënon premierën në Netflix më 12 nëntor të këtij viti.