Showbiz

Winslet që në fillim të karrierës dihej se do të bëhej yll

Sir Kenneth Branagh ka thënë se e dinte që aktorja Kate Winslet do të bëhej yll kinemaje që në momentin e takimit. Regjisori i filmit “Death on the Nile”, kishte supozuar se aktorja është më e moshuar se 17 vjeç sa ishte në kohën kur bëri audicionin e filmit.

Regjisori nuk kishte dyshime se ylli i filmit legjendar “Titanic” do të arrinte majat e botës filmike. Në një shkrim për nderimin e aktores që është përfshirë në listën e 100 njerëzve më me ndikim të revistës “Time” për vitin 2021, Branagh ka thënë se aktorja kishte një prezencë të jashtëzakonshme.

“Kur po përzgjidhja Kate Winslet në moshën 17-vjeçare, mendova se ishte 25-vjeçare. Kishte një vetëbesim, prezencë dhe përqendrim në dhomë. Kur ajo doli nga dhoma, i thashë drejtorit me siguri të plotë: ‘Sapo u njoftuam me një yll’”, ka shkruar ai.

Aktori dhe regjisori 60-vjeçar e ka lavdëruar etikën e punës dhe aftësitë e Winsletit në aktrim.

“Tre vjet më herët, e zgjodha atë për rolin e Ophelias në filmin për Shakespearen. Nuk i kërkova të bënte audicionin. Ajo solli energjinë prej detektives në prova. Na dëgjoi me shumë kujdes dhe shprehu personazhin në thellësi. Ajo u lidh me Shakespearin krejt natyrshëm”, ka shkruar Branagh.

“Në ‘Mare of Easttown’ këto kualitete janë rrezatuese, tani janë shndërruar në teknikë të vërtetë të aktrimit. Vetëm tani, ajo në art e fsheh plotësisht artisten. Kate Winslet zhduket dhe Mare del në pah plotësisht, pa ndonjë gjë artificiale. Është e mrekullueshme ta shikosh”, ka shtuar regjisori.

Ani pse Kate tani është 45-vjeçare, Kenneth e sheh atë në moshë më të re.

“Ende e shoh si 25-vjeçare, por tani është mjeshtre e artit të saj”, ka thënë regjisori në vlerësimin e tij.