Showbiz

Gabrielle Union e kujton një eksperiencë të rrezikshme të racizmit në Kroaci

Foto: AP/Associated Press

Kur aktorja e njohur amerikane, Gabrielle Union, dhe disa miq të saj po udhëtonin për punë në Kroaci në vitin 2019, ata po kërkonin t’i përjetonin bukuritë natyrore të këtij shteti dhe po e prisnin një turizëm të vogël të pop kulturës në lokacionet atraktive të Dubrovnikut. Por, ajo që ndodhi ishte krejtësisht e kundërta dhe ishte një takim i tmerrshëm që e trondit atë edhe sot e kësaj dite.

Union e rrëfen incidentin në librin e saj të ri me kujtime, “You Got Anything Stronger?”, që tashmë është në dispozicionin e publikut. Kur ajo dhe grupi i saj i vogël i miqve hynë në atë që mendonin se ishte një bar homoseksualësh për të marrë disa pije, ata shikuan përreth dhe kuptuan se ishin të rrethuar nga fotografi dhe objekte “neo-naziste” dhe në fakt gjendeshin në një ambient të racistëve fanatik. Aktorja tregon se ishte frikësuar menjëherë për sigurinë e saj dhe të shoqërisë.

“Kurrë më parë nuk kam përjetuar nivel të tillë të urrejtjes dhe kërcënime të dhunës fizike. Ishte një eksperiencë tronditëse. Dhe frika e adrenalina e kësaj ngjarjeje na la të shtangur”, citohet të ketë thënë aktorja e cila tutje ka treguar se edhe pas largimit të tyre nga ky bar, një grup i burrave kërcënues kishin vazhduar t’i ndjekin nëpër rrugë.

Por, ky takim zemërthyes dhe tmerrues në Kroaci, nuk është i vetmi i kësaj natyre për Unionin.

“Për t’i shpjeguar këto gjëra në hollësi, duhet analizuar çdo ditë të jetës time. Ekzistojnë mikroagresione me të cilat jam përballur ndër vite, dhe sulme serioze e të rrezikshme. Ja si është realiteti i një personi me ngjyrë në vendin tonë. Ne mendojmë se e kemi tejkaluar racizmin, por kjo nuk është e vërtetë. Dhe kjo gjë është tejet zhgënjyese. Nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë dhunën që vjen me racizmin”, ka deklaruar tutje aktorja.

Në fakt, Union thotë se Hollywoodi në veçanti e ka një histori të gjatë me racizmin, dhe duhet të bëhet shumë për t’i luftuar pabarazitë dhe shqetësimet racore që janë mjaft të përhapura dhe shqetësuese.

Në librin e saj, Gabrielle Union po ashtu tregon se ka shumë raste kur është një nga njerëzit e vetëm afrikano-amerikan në sheshin e xhirimeve, dhe se shpesh ballafaqohet me pabarazitë e vazhdueshme të pagave brenda komuniteteve pakicë.