Ylli i njohur botëror, Dua Lipa, më në fund do ta realizojë turneun e saj të shumëpritur i cili ka për qëllim promovimin e dytë dhe shumë të suksesshëm të këngëtares,” Future Nostalgia”.
Turneu i Lipës në Amerikën Veriore do të fillojë në shkurt të vitit të ardhshëm, me një koncert në qytetin bregdetar Miami, kurse do të përmbyllet më 1 prill në Vancouver.
Në disa koncerte të caktuara, bukuroshja me prejardhje kosovare në skenë do të shoqërohet nga yjet tjerë të muzikës, si Megan Thee Stallion, Caroline Polachek dhe Lolo Zouaï.
“Jam shumë e lumtur që do të realizoj sërish turne dhe do t’i takojë personalisht engjëjt e mi! është e mahnitshme që të gjithë do të kemi mundësi të vallëzojmë dhe festojmë së bashku. Kur po i shkruaja këngët e albumit ‘Future Nostalgia’, e imagjinoja që ato të transmetoheshin në klube të natës kur të gjithë të ishin me shoqëri duke festuar. Prandaj, jam shumë e lumtur që kjo dëshirë më në fund po realizohet. Mezi pres t’i përjetojë këto këngë live, bashkë me ju”, ka shkruar këngëtarja në prononcimin e saj për media.
Dua Lipa e lansoi albumin “Future Nostalgia” në mars të vitit 2020, në kohën kur bota hyri në karantinën e parë dhe të gjitha ngjarjet kulturore u pezulluan për shkak të pandemisë. Kah fundi i atij viti, ylli i hitit “Don’t Start Now” e mbajti një koncert virtual të titulluar “Studio 2054”, ngjarje kjo e cila u përcoll nga një numër rekord i shikuesve.
Albumi i dytë i këngëtares 26-vjeçare i solli asaj suksese të jashtëzakonshme në platformat dhe toplistat muzikore, si dhe ia fitoi disa shpërblime prestigjioze të muzikës, si “Grammy”, “BRIT Award”, “American Music Award”, “MTV Video Music Award” dhe të tjerë. Pothuajse secila këngë e albumit është shndërruar në hit të menjëhershëm, janë transmetuar nëpër televizione dhe radiostacione të njohura anembanë botës dhe u pozicionuan lartë në toplista të ndryshme.
Versioni i këngës “Levitating” i sjell në bashkëpunim me reperin DaBaby, ka arritur të thyej rekorde duke u bërë kënga e parë e një solo këngëtareje që i kalon 35 javë në dhjetë pozitat e para të toplistës “Hot 100”.