Këngëtarja 36-vjeçare, Leonas Lewis, po planifikon që së shpejti t’i rikthehet skenës muzikore pas një pauze disa vjeçare, me lansimin e albumit të ri i cili do të përmbajë këngë për festat e fundvitit.
Kështu, ylli i shout “The X Factor” shpreson t’i ndjekë hapat e divës së muzikës, Mariah Carey, dhe të shënojë suksese të jashtëzakonshme me këngë krishtlindjesh.
“Mund të duket ende herët të flasim për Krishtlindjet në muajin shtator, por ky projekt ka një vit që është në realizim e sipër. Leona i ka incizuar disa këngë të reja, dhe disa prej tyre janë vërtetë të jashtëzakonshme. Mariah Carey fiton miliona dollarë për çdo vit nga kënga e saj, ‘All I Want For Christmas Is You’, dhe albumet me muzikës të festive të fundvitit të cilat i realizon tash e sa vjet. Prandaj, kjo duket një mundësi shumë e mirë edhe për Leonan. Ajo nuk e ka pasur një rrugëtim të lehtë në industrinë e muzikës, veçanërisht në dekadën e fundit, për shkak të problemeve me studio incizuese. Por tani, ajo është përkushtuar e tëra në rikthimin e saj në muzikë dhe ekipi me të cilin ajo bashkëpunon, beson që albumi i ardhshëm do t’ia kujtojë publikut britanik pse ajo e fitoi shoun ‘The X Factor’ para 15 vjetëve”, citohet të ketë thënë një burim i afërt me këngëtaren.
Lewis shquhet për hitin “Bleeding Love” i cili i pati pushtuar toplistat muzikore anembanë botës, dhe i numëron më shumë se 287 milionë klikime në platformën muzikore YouTube.
Kënga e saj “One More Sleep” e cila ishte pjesë e albumit “Christmas With Love” të lansuar në vitin 2013, tashmë është shndërruar në hit klasik të Krishtlindjeve.
Albumi i ri i yllit britanik vjen pas albumit të vitit 2015, me titull “I Am”. Vjetëve të fundit, Lewis është angazhuar edhe si aktore në projekte të shumta filmike dhe televizive.
Po ashtu, së fundmi Lewis e pranoi se ajo dhe bashkëshorti i saj, Dennis Jauch, me të cilin është martuar në korrik të vitit 2019, mezi presin të bëhen prindër por ende janë duke i shqyrtuar mundësitë e tyre. Këngëtarja e pranoi se dëshiron ta adoptojë një fëmijë, për shkak të eksperiencës personale të nënës së saj e cila ishte jetime.
“Unë dua të kem fëmijë, por Dennis dhe unë po ashtu kemi biseduar rreth adoptimit të një fëmije. Nëna ime është rritur në jetimore. Askush nuk e kishte adoptuar atë kur ishte e vogël, prandaj do të dëshiroja t’ia ofroja këtë mundësi një fëmije tjetër. Ende jemi duke i shqyrtuar mundësitë tona. Por nëse ky vendim do të varej tërësisht nga bashkëshorti im, ne tashmë do të ishim prindër”, citohet të ketë thënë Lewis për revistën “Stella”.
Leona dhe Dennis, sapo ishin zhvendosur në fermën e tyre në Kaliforni, kur u detyruan të vetizoloheshin si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Këngëtarja ka treguar se pavarësisht vështirësive që i kishte sjellë karantina, ajo e ka shfrytëzuar këtë kohë të lirë për t’u fokusuar në muzikën e saj.
Gjatë karrierës së saj, Lewis i ka shitur më shumë se 30 milionë albume anembanë botës. Ajo i ka fituar disa shpërblime të rëndësishme muzikore, si “MOBO Award”, “MTV Europe Music Award, “World Music Award”, “BRIT Award” si dhe është nominuar tri herë për çmim “Grammy”. Përveç arritjeve në muzikë dhe film, Lewis shquhet edhe për angazhimet në fushën e bamirësisë, veçanërisht si aktiviste për të drejtat e kafshëve.