Chris Hemsworth po paraqet në një reklamë të re për turizmin në Dubai. Aktori 38-vjeçar, më i njohur për rolin në “Thor”, pjesë e filmave nga Marvel, është fytyra e reklamës, që do të fillojë të transmetohet nga muaji tetor deri në mars të 2022-tës.
Reklama e paraqet Hemsworthin duke i eksploruar vendet më ikonike të qytetit, përfshirë Qendrën e Ekspozitave, rrokaqiellin Burj Khalifa dhe Jumeirah Beach Park. “Dëshiron ta shohësh të ardhmen? Eja. Le të hipim në metro. Ky është Dubai dhe kjo është shfaqja më e madhe në botë”, thotë ai. “Mundësia, lëvizshmëria, qëndrueshmëria dhe shembujt më të mirë të aftësisë njerëzore”.
Reklama është bërë me regji të artistit dhe regjisorit amerikan të efekteve speciale Robert Stromberg, i cili ka punuar edhe për “Avatar” dhe “Alice in Wonderland”. Kjo reklamë vjen pasi Hemsworth thuhet se refuzoi një ofertë për t'u shfaqur në një reklamë të mbushur me të famshëm, që e promovonte vaksinën kundër Covid-19 në Australi.
Qeveria federale kishte kërkuar nga vendasi i Byron Bay në qershor që të merrte pjesë në reklamë me disa nga figurat më të famshme të vendit. Në këmbim, qeveria ra dakord që ta linte Hemsworth “të hynte në radhë” për ta marrë vaksinën, sipas gazetës “The Sydney Morning Herald”.
Në atë kohë, Hemsworth thuhet se po përpiqej të siguronte vaksinën sa më shpejt që të ishte e mundur në mënyrë që ta fillonte punën në një projekt filmik sekret. Ai me sa duket kishte ngurruar për ta marrë vaksinën AstraZeneca, megjithatë në qytetin e tij të lindjes, Byron Bay nuk kishte vaksina nga kompania “Pfizer”, ka pohuar gazeta. Në fund, Hemsworth thuhet se kishte hedhur poshtë ofertën e qeverisë dhe e kishte siguruar vaksinën “diku tjetër”, pa promovuar vaksinën si pjesë e reklamës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.