Angelina Jolie ka thënë se kishte frikë për sigurinë e familjes, gjatë martesës më Brad Pitt.
Ajo ka kritikuar qeverinë amerikane se nuk po bën mjaftueshëm për të mbrojtur të drejtat e të miturve.
Në një intervistë për The Guardian, aktorja dhe aktivistja e njohur ka deklaruar se përvojat në lidhjen e saj me aktorin Brad Pitt, e kanë bërë që të kuptojë rëndësinë e të drejtave të fëmijëve, të cilat ajo është duke i mbështetur përmes një libri që po shkruan, e i cili titullohet “Know Your Rights”.
E pyetur se çka ka ndodhur që e ka bërë të frikësohet aq shumë për të drejtat e fëmijëve të saj, Jolie ka thënë se ndodhet ende në atë situatën kur “nuk mund të flasë për atë çështje”, mirëpo duke tundur kokën, ajo e ka pohuar se bëhet fjalë për divorcin me Pitt dhe akuzat e saj ndaj tij për abuzim.
Aktorja hollivudiane ka kritikuar SHBA-në duke thënë se është i vetmi vend i cili nuk e ka ratifikuar në plotësi Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.
Jolie ka deklaruar se vendimin për tu ndarë nga Pitt nuk e ka marrë aty për aty.
“Më është dashur shumë që të vijë në pozitën kur e ndjeja se më duhej të ndahesha nga babai i fëmijëve të mi”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë, vetë Pitt e pati pranuar kohë më parë se ka pasur probleme me alkoolin dhe se në ndonjë moment i ka ngritur zërin njërit prej fëmijëve, por gjithmonë e ka mohuar se ka qenë fizikisht abuzues ndaj tyre.