Showbiz

Rita Ora qan në “The Voice” të Australisë

Këngëtarja nga Kosova, Rita Ora, ka nisur të qajë në “The Voice” të Australisë kur ka folur për legjendën Tina Turner për të cilën ka treguar se ka qenë inspirim në kohën kur përballej me vështirësi gjatë rritjes në Britani të Madhe pasi “nuk ngjante me vajzat tjera”.

Pas performancës së Rebecca O’Connorit, që ngjante me Turnerin, kandidatja në “The Voice of Australia” tregoi se është rritur si e vetmja “vajzë me ngjyrë në një fshat” dhe se është inspiruar nga Tina Turner kur e kishte parë në televizor.

“Kam thënë ‘O Zot! Nënë, kjo ngjan shumë me mua’”, ka kujtuar Rebecca.

Pas fjalimit të shkurtër të konkurrentes, anëtarja e jurisë së “The Voicet”, Rita Ora, nisi të tregonte rrëfimin e saj dhe u emocionua. Krijuesja e “How We Do” ka kujtuar kohën se si prindërit e saj ishin larguar nga Kosova drejt Britanisë së Madhe kur ajo ishte ende fëmijë.

“Kjo më prek shumë sepse kur unë po rritesha – kam shkuar në Britani kur isha vetëm njëvjeçare – dhe sikur që the ti, nuk isha ajo vajza normale në lagjen time”, ka nisur rrëfimin e saj Rita. “Sapo dëgjova për Tinën – do të nis të qaj tani – sepse për mua, ajo është idhulli im më i madh në botë për shumë arsye”.

Madje Ritës iu desh edhe pushim pasi “s’mund të fliste nga emocionet”.

Rita dhe anëtarja tjetër e jurisë, Jess Mauboy, kthyen karriget e tyre për Rebeccan. Konkurrentja zgjodhi Ritën për të qenë trajnere e saj.