Showbiz

Madonna po punon në sjelljen e një versioni të ri të këngëve klasike

Descriptive Text

Për ta shënuar ditëlindjen e 63-të dhe 40-vjetorin e karrierës muzikore, ikona e muzikës pop, Madonna, të hënën e bëri të ditur lajmin se një marrëveshje e re e arritur me studion incizuese, “Warner Music Group”, për herë të parë e sjellë lansimin e një serie të gjerë dhe shumëvjeçare të katalogut të saj muzikor, ku përfshihen këngë novatore të cilat e shndërruan atë në një yll ndërkombëtarë.

Ky projekt i përfshinë disa prej albumeve të saja klasike, si “Like a Virgin” dhe “Like a Prayer”, si dhe albumet e realizuara vjetëve të fundit, si “MDNA” dhe “Rebel Heart”. Gjithçka do të vijë e kuruar personalisht nga Madonna.

Këngëtarja e cila në vitin 1982 e lansoi këngën debutuese me studion “Warner”, ka deklaruar: “Nga fillimi i karrierës sime, kompania ‘Warner Music Group’ ka ndihmuar në shpërndarjen e muzikës dhe vizionit tim tek adhuruesit anembanë botës, me kujdesin dhe konsideratën më të madhe ndaj meje. Ata kanë qenë partnerë të mrekullueshëm dhe jam shumë e lumtur ta fillojë këtë kapitull të ri të bashkëpunimit me ta, që ka për qëllim ta festojë katalogun tim muzikor të 40 vjetëve të fundit”.

Në lajme të tjera, Madonna shumë shpejt e lanson një film koncertal në platformën “Paramount+”. Ky projekt bazohet në prapaskenat e turneut të saj muzikor, “Madame X”, që kishte për qëllim promovimin e albumit të suksesshëm të vitit 2019, i cili u bë albumi i saj i nëntë i pozicionuar në vendin e parë të toplistave muzikore në Amerikë. Dokumentari në fjalë do ta shënojë premierën më 8 tetor të këtij viti.

Madonna, po ashtu do ta drejtoj filmin e saj biografik të cilin është duke e bashkëshkruar me Diablo Codyn. Lajmin e ka konfirmuar studioja “Universal Pictures”.

Në një deklaratë për media Madonna kishte thënë: “Dua ta sjell në ekran rrugëtimin e jashtëzakonshëm në të cilin më ka dërguar jeta si artiste, muzikante, valltare dhe si një person duke u përpjekur t’i hapë rrugët e saj në këtë botë. Fokusi i filmit gjithmonë do të jetë muzika. Muzika më ka mbajtur aktive dhe arti më ka mbajtur të gjallë. Kam aq shumë tregime të parrëfyera më parë dhe tejet inspiruese, prandaj kush është më i përshtatshëm për t’i treguar ato sesa unë. Është shumë e rëndësishme t’i ndajë me publikun dhe fansat kujtimet e mira dhe të këqija të jetës sime, përmes zërit dhe vizionit tim.”

Filmi i cili do t’i dërgojë fansat në një rrugëtim emocionues të karrierës së jashtëzakonshme të këngëtares në këto pesë dekada, aktualisht nuk ka ndonjë titull.

Madonna shquhet si mbretëresha e muzikës pop dhe prapa vetes bartë një numër të madh të hiteve. Disa prej këngëve të saja më të pëlqyera nga publiku mbarë botëror janë: “La Isla Bonita”, “Material Girl”, “Like a Prayer”, “Vogue”, “Music”, “Ray of Light”, “Frozen”, “Sorry” dhe të tjerë.

Për ta festuar ditëlindjen e saj të 63-të, mbretëresha e popit ka vendosur t’i sfidojë fansat që në emër të saj të dhurojnë për fondacione bamirëse, në veçanti duke iu kërkuar ta përkrahin spitalin “Mercy James Centre” në Malawi, i cili është ndërtuar për t’i strehuar fëmijët të cilët kanë nevojë ta marrin veten pas operacioneve të rënda.