Showbiz

Scarlett Johansson fiton rol në filmin e ardhshëm të regjisorit Wes Anderson

Ylli i kinematografisë, Scarlett Johansson, ka arritur ta fitojë rolin e parë pas ngritjes së padisë kundër kompanisë “Disney”.

Aktorja 36-vjeçare i është bashkuar kastës së aktorëve yje të filmit të ardhshëm të regjisorit, Wes Anderson. Kështu ka bërë të ditur revista “Variety”.

Në projektin ende të patitulluar të regjisorit Anderson, do të luajnë edhe bashkëpunëtorët e tij të zakonshëm, Adrien Brody, Jason Schwartzman, Tilda Swinton dhe Bill Murray, si dhe aktorët e shquar të Hollywoodit me të cilët do të bashkëpunojë për herë të parë, Margot Robbie dhe Tom Hanks.

Ylli i filmit “Black Widow”, Johansson, në të kaluarën ka punuar me regjisorin e famshëm në filmin e tij të animuar, “Isle of Dogs”. Kurse, filmi i fundit i realizuar nga Anderson e mban titullin, “The French Dispatch”. Ky projekt e shënoi premierën botërore në festivalin e sivjetmë të filmit në Kanë, si dhe do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 22 tetori.

Johansson së fundmi bëri bujë në mediat botërore me ta paditur studion “Disney” për shkelje të kontratës, kjo pasi kompania gjigante vendosi ta lansojë filmin me superheronj, “Black Widow”, nëpër kinema dhe në platformën digjitale “Disney+”, në të njëjtën kohë.

Aktorja në padinë e saj deklaron që filmi i mbushur me skena aksion ka arkëtuar më pak të holla nga shitja e biletave, çka i ka kushtuar asaj me humbjen e 50 milionë dollarëve nga bonuset e arkave filmike.

Studioja “Disney” ka deklaruar që kontrata me Johanssonin ishte për një publikim të gjerë të filmit, dhe jo një lansim ekskluziv nëpër kinema dhe se obligimi i tyre ndaj aktores është përmbushur plotësisht.

Kompania e cilësoi padinë të pavend dhe e quajti veprimin e aktores së famshme si pikëllues dhe shqetësues, duke e akuzuar atë për mospërfilljen e efekteve të tmerrshme dhe të zgjatura globale të pandemisë. Kompania po ashtu ka deklaruar se Johansson ka fituar kompensime shtesë, krahas pagës prej 20 milionë dollarësh për rolin e saj në “Black Widow”.

Disa prej filmave më të njohur të aktores Scarlett Johansson janë: “Lost in Translation”, “The Prestige”, “Match Point”, “Under the Skin”, “Marriage”, “Ghost World” dhe të tjerë. Gjatë karrierës disa dekadëshe në film dhe televizion, Johansson po ashtu i ka fituar disa shpërblime të rëndësishme.