Showbiz

Zendaya do të jetë protagoniste në vazhdimin e radhës së filmit “Dune”

Descriptive Text

Derisa personazhi i aktorit Timothee Chalamet, Paul Atreides, është në qendër të historisë së filmit të ri “Dune”, që pritet të lansohet së shpejti, personazhi i Zendayas, Chani, do të shërbejë si protagoniste e filmit të dytë i cili adaptohet nga romani i famshëm i Frank Herbertir.

Duke folur për revistën italiane “Il Venerdi”, regjisori Denis Villeneuve i përmendi planet për realizimin e filmit “Dune: Part Two”, duke thënë: “Mezi pres të fillojnë xhirimet e pjesës së dytë të filmit ‘Dune’ dhe t’i rikthejmë në ekran aktorët fantastik, Timothee Chalamet dhe Zendaya. Sidomos marrë parasysh faktin se në kapitullin e ardhshëm të këtij projekti, Zendaya do të jetë protagoniste e tregimit”.

Filmi “Dune” e rrëfen historinë e Paul Atreides, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme, i cili duhet të udhëtojë në një prej planetëve më të rrezikshëm në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe të mbarë popullit. Por, konflikti pason me forcat keqdashëse për kontrollin e një burimi të quajtur “Melange”, i cili kur konsumohet mund ta përmirësojë shëndetin e njerëzve dhe e rrit jetëgjatësinë. Melange, po ashtu, është jetik për t’i ndihmuar udhëtimet në hapësirë dhe njëkohësisht është produkti më i kërkuar në të gjithë universin.

Përveç yjeve Tomothee dhe Zendaya, në filmin e ardhshëm luajnë aktorët: Rebecca Ferguson, Josh Brolin, Dave Bautista, Jason Momoa, Oscar Isaac, Stellan Skarsgard dhe Javier Bardem.

“Dune” do të lansohet zyrtarisht nëpër kinema dhe në platformën HBO Max, më 22 tetor.