Mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën botërore të filmit “Free Guy”, Ryan Reynolds tha se ky projekt do t’i bëjë njerëzit të buzëqeshin, edhe nëse nuk janë adhurues të videolojërave.
Adhuruesit e entuziazmuar ishin mbledhur përreth teatrit ku po mbahej premiera dhe Reynolds bashkë me gruan e tij aktore, Blake Lively, pozuan për fotografët e pranishëm si dhe po e shijonin atmosferën e krijuar nga fansat në New York.
Në filmin “Free Guy”, Reynolds e portretizon një burrë të quajtur Guy i cili pas një incidenti, me ç’rast grabitet banka ku ai punon, e zbulon se gjendet brenda një videoloje dhe është thjeshtë një personazh dytësor në të.
Derisa Reynolds, i cili shërben edhe si producent i projektit, e quan përmbajtjen e lojërave në filmit si jashtëzakonisht autentike, ai thotë se megjithëkëtë filmi do ta tërheqë një audiencë më të gjerë.
“Përmbajtja e videolojës në film, ne vërtetë donim që ishte jashtëzakonisht autentike, por unë kurrë nuk do ta karakterizoja këtë si një film videolojërash. Njësoj sikur njerëzit flasin për ‘Titanic’-un, ata nuk thonë se është një film që flet për lundrimin me varka, apo për sikur të thoshin për projektin ‘Field of Dreams’ se është një film që flet për bejsbollin. Zakonisht filmbërësit inkuadrojnë tema dhe ide të ndryshe në projektet e tyre. neve na pëlqeu shumë ideja e videolojërave sepse na lejonte ta krijonim një botë të re dhe gjithëpërfshirëse, dhe të eksploronim një gjuhë plotësisht ndryshe. Filmi gjithashtu është shumë kulturor, sepse mua më pëlqen ta paraqes këtë aspekt në filmat e mi. në një film të këtij zhanri dhe lloji, t’i ke mundësi ta bësh një gjë të tillë. Në fund të ditës, ajo çfarë ka rëndësi është se filmi funksionon, dhe është vërtetë i mirë. Pavarësisht faktit nëse ju pëlqejnë apo jo videolojërat, ju do të dilni nga kinemaja me një buzëqeshje të madhe në fytyrë”.
Reynolds po ashtu foli për videon promovuese ku ai shfaqet i veshur sikur superheroi unik, Deadpool, dhe shoqërohet nga personazhi tjetër i Universit Kinematik Marvel, Korg, i cili portretizohet nga miku dhe kolegu i tij, Taika Waititi. Në këtë video, ata bëjnë shaka me filmin “Free Guy”.
“Ky ishte një projekt në të cilin kemi punuar në kompaninë time të quajtur ‘Maximum Effort Marketing’, dhe unë bashkë me George Deëey e kemi shkruar skenarin e kësaj videoje promovuese. Sinqerisht nuk e kishim menduar që studioja ‘Disney’ do ta pranonte këtë ide, por ja që kështu ndodhi. Prandaj vendosëm ta xhirojmë atë dhe Taika u tregua i sjellshëm dhe nuk hezitoi të bëhet pjesë e video si personazhi i Korgut. Na u duk një mënyrë e mirë për ta paralajmëruar filmin tonë”, shtoi tutje aktori.
Aktori tjetër i filmit, Lil Rel Howery, kishte vetëm fjalë të mira për kolegun e tij Reynolds.
“Ai është paksa më i thellë se kaq. Mendoj se ai në njëfarë mënyre na mëson të gjithë neve sit ë luftojmë për projektet tona. Puna që Ryan e bënë dhe mënyra si i bënë reklamë projekteve të tij, është tejet unike dhe diçka që nuk e kam parë më herët tek askush. Dhe ai e bënë këtë gjë me shumë lehtësi. Po flas për të gjitha projektet në përgjithësi, si ato në fushën e biznesit ashtu edhe ato filmike, si dhe është shumë i përkushtuar në atë që e bënë. Pra, mendoj që Ryan është i mrekullueshëm për reklamim”.
Edhe regjisori Shawn Levy e ndanë të njëjtin mendim për yllin hollywoodian.
“Sinqerisht, kur realizon film me Ryan Reynoldsin, ti jo vetëm që punon me një yll filmash dhe një aktor të mrekullueshëm, por edhe një producent të vërtetë dhe të talentuar dhe një prej mendjeve më të ndritura në fushën e marketingut. Prandaj kur ai më telefonoi dhe më tha, ‘E kam një ide ku Deadpool dhe Korg e shikojnë trailerin e filmit ‘Free Guy’ dhe bëjnë shaka me të’, unë fillimisht i thash se studioja Disney nuk do të na lejojë kurrë ta bëjmë një gjë të tillë. Por, ndodhi e papritura dhe ata thanë po. Dhe jam shumë i lumtur për këtë sepse e dija dhe i thash edhe Ryanit se një video e tillë promovuese do ta pushtonte internetin. Gjë që ndodhi me të vërtetë”, përfundoi regjisori.
Në filmin “Free Guy” po ashtu luajnë aktorët, Jodie Comer, Joe Keery, Camille Kostek dhe Tyler ‘Ninja’ Blevins, kurse projekti i shumëpritur nga fansat tashmë është lansuar nëpër kinema, nga 13 gushti.