Showbiz

Sofia Vergara fiton në gjyqin kundër ish-të dashurit

Sofia Vergara ka fituar në një proces të gjatë gjyqësor kundër ish-të dashurit të saj, Nick Loeb, lidhur me embrionet e saj të ngrira.

Aktorja e famshme amerikane ishte në një lidhje me Loeb mes viteve 2012 dhe 2014. Gjatë kësaj periudhe ata kishin kryer një trajtim IVF, në një përpjekje për të krijuar familje përmes një nënë surrogate. Për këtë qëllim, ata kishin prodhuar 2 embrionë të fertilizuar të cilët po mbaheshin që atëherë në një klinikë mjekësore në Kaliforni.

Në vitin 2014 çifti ishte ndarë pasi Loeb kishte ngritur një proces gjyqësor për kujdestarinë e embrioneve - e cila më vonë u hoq. Pavarësisht kësaj, ai kishte rikhapur çështjen në Louisiana mirëpo prapë ishte hedhur poshtë pasi Gjykata nuk kishte juridiksion për embrionët që ishin krijuar në Kaliforni.

Në dhjetor të vitit 2016, Vergara kishte paditur Loebin dhe kishte kërkuar nga gjykata që të lëshonte një vendim ku deklarohej se ai nuk do të bënte asnjë lëvizje në përpjekje për të shfrytëzuar embrionët.

Rasti është përmbyllur më në fund pasi Gjykata Superiore e Los Anxhelosit ia ka ndaluar Loebit që t’i shfrytëzojë embrionët pa pëlqimin e Vergaras.