Showbiz

Dua Lipa uron xhudisten e artë: Bravo Nora Gjakova!

Këngëtarja kosovare me nam botëror, Dua Lipa, ka përdorur llogarinë e saj në rrjetin social Instagram për ta shprehur gëzimin për medaljen e artë të fituar në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” nga xhudistja e Kosovës, Nora Gjakova.

Lipa është bërë kësisoj një prej shumë emrave të njohur që kanë shprehur në rrjetet sociale gëzimin për ngadhënjimin e Gjakovës në kryeqytetin japonez.

Këngëtarja ka shpërndarë në InstaStory postimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me anë të të cilit ai krenohej me medaljen e dytë olimpike që Kosova fitoi në edicionin e sivjetmë të Lojërave Olimpike.

“Një tjetër medalje ari për Kosovën! Bravo Nora Gjakova”, ka shkruar Dua Lipa në mbishkrimin e postimit të saj.

Nora Gjakova ka fituar medaljen artë në kategorinë deri në 57 kilogramë, duke shkruar kështu historinë për Kosovën që fitoi dy të arta në këto Lojëra Olimpike që po mbahen në Tokio.

Në finale, xhudistja nga Peja ka mposhtur francezen Sarah Leoine Cysique, duke e siguruar kështu suksesin e saj më të madh në karrierë.

Lipa ka qëndruar gjatë këtyre ditëve në Shqipëri, bashkë me familjen e saj dhe të dashurin, Anwar Hadid, duke i vizituar bukuritë e vendit, me ç’rast edhe ka mbajtur takime me Veliajn dhe kryeministrin Edi Rama.

Lipa është shprehur krenare pak ditë më parë edhe për xhudisten tjetër nga Kosova, Distria Krasniqi, e cila ia siguroi Kosovës medaljen e parë të artë në “Tokio 2020”.