Showbiz

Ed Sheeran ka shkruar këngë për albumin e ri të grupit “BTS”

Ed Sheeran e ka bërë të ditur lajmin se e ka shkruar një këngë për albumin e ri të grupit “BTS”.

Duke folu për emisionin “Most Requested Live”, Sheeran e konfirmoi realizimin e këngës së re, teksa shkurtimisht diskutoi për bashkëpunimin e kaluar me grupin rekordthyes nga Korea e Jugut, me titull “Make It Right”.

“Në fakt unë kam bashkëpunuar me grupin ‘BTS’ në albumin e kaluar, dhe tani sapo e kam shkruar një këngë për albumin e tyre të ri. Ata janë vërtetë të mrekullueshëm, dhe djelmosha shumë cool”, deklaroi Sheeran.

Edhe labeli me të cilin bendi i famshëm i muzikës K-Pop bashkëpunon, “Big Hit Music”, e konfirmoi lajmin përmes një prononcimi të shkurtër për media, ku thuhej: “Është e vërtetë se Ed Sheeran është pjesë e këngës së re të grupit ‘BTS’”.

Kantautori i njohur britanik, Sheeran, së fundmi i ka bashkuar forcat edhe me yllin australian të muzikës, Kylie Minogue, në realizimin e këngës së ardhshme “Visiting Hours”. Ky bashkëpunim mes dy megayjeve erdhi pasi në mars të këtij viti, këngëtari udhëtoi drejt Australisë për të performuar në ceremoninë përkujtimore të mikut të tij të ndjerë, producentit muzikor Michael Gudinski. Sheeran e shoqëroi këngëtaren Kylie Minogue në skenë për t’i interpretuar disa këngë, si “All The Lovers” dhe “The Locomotion”. Këngëtari britanik po ashtu e performoi këngën “Visiting Hours”, të cilën ai e kishte shkruar gjatë qëndrimit në Australi si dedikim për mikun e tij të ndjerë.

{gallery}

Ed Sheeran para tri ditëve e lansoi videoprojektin e ri muzikore me titull “Bad Habits”. Kënga vjen e bashkëshkruar dhe bashkëprodhuar nga artisti britanik dhe bashkëpunëtorët e tij të kamotshëm, Fred dhe Johnny McDaid.

Ndërkohë, grupi “BTS” mori lajme të mira këtë javë kur një ministër i Koresë së Jugut, deklaroi se do të shkruante rekomandim për grupin që ta vonojë regjistrimin e tyre të detyrueshëm ushtarak.

Nga 23 qershori, një ndryshim i ri në lidhje me shtyrjen ushtarake ka hyrë në fuqi në Korenë e Jugut. Ligji, i cili u miratua vitin e kaluar, thotë se yjet e e muzikës pop që kanë marrë merita kulturore nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit, mund të aplikojnë për ta shtyrë regjistrimin e tyre deri në moshën 30 vjeçare.

Hiti i fundit i lansuar nga bendi me famë botërore është, ‘Butter”. Kënga është mirëpritur nga fansat e “BTS” dhe deri më tani i numëron më shumë se 399 milionë klikime.