Showbiz

Spears para gjykatës: Dua që jeta të më rikthehet

Ylli i popit e ka sulmuar ashpër kujdestarinë “abuzive” të babait, që ia ka rrëmbyer kontrollin mbi jetën e saj për 13 vjet

Pas 13 vjetësh heshtjeje rreth kujdestarisë së babait që ia ka rrëmbyer kontrollin mbi jetën dhe paratë, këngëtarja e njohur amerikane, Britney Spears, ka thënë të enjten para gjykatësve, në një fjalim emocional, se dëshiron që më në fund të marrë fund rasti “abuzim” që e ka lënë të demoralizuar dhe të robëruar.

Duke folur në hapje të gjykimit për të parën herë gjatë procesit, Spears ka dënuar babanë e saj dhe të tjerët që ia kanë rrëmbyer kontrollin mbi financat, për të cilën gjë ajo ka thënë se e ka shtyrë që të përdorë ilaçe për pamundësimin e shtatzënësisë dhe barna të tjera kundër vullnetit të saj. Dhe ka shtuar se krejt kjo ka ndikuar që ajo të mos martohet apo të lindë fëmijë tjetër.

“Kjo kujdestari po më bën shumë më tepër dëm sesa dobi”, ka thënë 39-vjeçarja Spears. “Meritoj që ta kem një jetë timen. Thjesht dua që të ma kthejnë jetën”.

Këngëtarja ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe kishte përdorur edhe litium, një ilaç ky për çrregullimet bipolare. Edhe këtë kundër dëshirës së saj.

Babai i saj, Jamie Spears, e kishte marrë kontrollin mbi jetën dhe karrierën e yllit me vendim të gjykatës, më 2008. Ky vendim ishte marrë pasi që Spearsi ishte dërguar në spital, për shkak të thyerjes së pësuar mendore.

Gjykatësja e Gjykatës Supreme të Los Angelesit, Brenda Penny, e ka falënderuar Spearsin për fjalët “e guximshme”.

Më pas, fansat kanë vërshuar rrugët për t’i shprehur mbështetje këngëtares.

“Meritoj ta kem një jetë”

Fjalimi emocionues i Spearsit ka zgjatur më shumë se 20 minuta. Pas fjalëve të para, gjykatësja ka kërkuar që ajo të flasë më ngadalë, ndërsa më vonë Spears ka thënë se më mirë do të ishte po të kishte qëndruar në telefon “përgjithmonë”, për t’iu shmangur rikthimit në jetën ku rrethohet nga njerëz që i tregojnë se ç’duhet të bëjë.

Spears ka thënë para trupit gjykues se do që të përfundojë kujdestaria dhe e ka përshkruar marrëveshjen si “turpëruese dhe të dëmshme”. Duke iu referuar postimeve të mëparshme në “Instagram”, këngëtarja ka thënë: “Kam gënjyer kur i kam thënë tërë botës se jam mirë dhe e lumtur. E mohoja të vërtetën. Isha e shokuar. E traumatizuar”.

“Nuk jam e lumtur. Nuk mund të fle. Jam shumë e acaruar, është çmenduri. Jam në depresion. Qaj çdo ditë”, ka theksuar ajo.

Spears, nënë e dy fëmijëve, ka thënë se donte të martohej me të dashurin e saj dhe të kishte edhe një fëmijë, por këtë nuk ia lejonte marrëveshja. Ajo e ka akuzuar kujdestarinë që e ka nxitur të vendosë spirale në mënyrë që të mos mund të mbetet shtatzënë.

“Isha e bulizuar dhe e lënë mënjanë dhe në vetmi”, ka thënë ajo para gjykatës. “Meritoj të kem të drejta sikurse të gjithë njerëzit, të kem fëmijë dhe familje”.

Spears ka thënë se menaxhmenti e ka detyruar që të shkojë në turne. Ajo ka thënë se ka qenë kundër qëndrimit në një rezidencë në Las Vegas dhe se psikologu kishte gënjyer duke thënë se nuk po i merrte ilaçet.

Më pas ajo ka pretenduar se i është dhënë terapia me ilaçin litium – ilaç për çrregullime bipolare – kundër dëshirës se saj, deri në pikën ku ndihej e dehur dhe e paaftë për të biseduar. Spears ka theksuar se besonte që kujdestaria po “e dëmtonte më shumë se që po i bënte mirë”, dhe ka thënë se sinqerisht nuk e dinte se do të mund të kërkonte që t’i jepte fund marrëveshjes.

Specifikat e kujdestarisë nuk janë bërë kurrë publike. Por Spears ka gëzuar një karrierë, përfshirë një rezidencë në Las Vegas dhe një punë të përkohshme si pjesë e jurisë në “X-Factor”, gjë që ka shtuar dyshimet për vlefshmërinë e kujdestarisë.

Avokati i babait të saj ka thënë se është i shqetësuar për fjalët që ka thënë këngëtarja.

“I vjen keq kur e sheh të bijën duke vuajtur dhe duke ndier kaq shumë dhimbje”, ka thënë avokati para trupit gjykues. “Jamie Spears e do vajzën e tij dhe i mungon shumë”.

Çfarë është kujdestaria?

Kujdestaria vendoset nga një trup gjykues kur një person nuk është në gjendje të marrë vendime i vetëm, si në rastet kur vuan nga demencia apo ndonjë sëmundje tjetër mendore. Kujdestaria e Spearsit është ndarë në dy pjesë – njëra është për pronat dhe financat e saj dhe tjetra për jetën personale. Sipas marrëveshjes, ylli i popit nuk e gëzon kontrollin e financave që nga viti 2008. Asokohe kishte filluar edhe të sillej çuditshëm, kur po shkurorëzohej nga Kevin Federline dhe po kërkonte kujdestarinë e fëmijëve.

Ylli u bë pjesë e kryetitujve në gazetat botërore, shkaku i disa incidenteve publike, përfshirë edhe rruajtjen e flokëve dhe shtrimit në spital dy herë.