Filmbërësi i njohur hollywoodian, Steven Spielberg, do t’i realizojë disa projekte filmike për platformën digjitale Netflix.
Regjisori i shumëshpërblyer e ka konfirmuar lajmin se studioja e tij filmike, “Amblin Partners”, ka nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi me platformën gjigante, dhe mezi po pret që në një të ardhme të afërt të punojë krahas shefave të Netflixit, Ted Sarandos dhe Scott Stuber.
“Për studion ‘Amblin’, rrëfimi i tregimeve të ndryshme do të jetë përgjithmonë në qendër të gjithçkaje që bëjmë, dhe që nga momenti kur Ted dhe unë filluam të diskutonim për një partneritet, ishte shumë e qartë se kishim një mundësi të mrekullueshme për të treguar histori të reja së bashku, dhe për të depërtuar tek publiku në mënyra të reja. Kjo platformë e re për filmat tanë, së bashku me historitë që ne vazhdojmë t’i ekranizojmë me familjen tonë shumëvjeçare në kompaninë ‘Universal’ dhe partnerët tanë të tjerë, do të jetë një përvojë jashtëzakonisht përmbushëse për mua personalisht, ta fillojë bashkëpunimin me Tedin dhe mezi po pres të bashkëpunojë me mbarë ekipin e Netflixit”, ka deklaruar regjisori.
Ndërkohë, në një intervistë të kaluar Spielberg e pranoi se i duhen të kalojnë vite të tëra për të vendosur t’i shikojë filmat e tij. Regjisori thotë se është shumë i zënë, si në jetën private ashtu edhe në atë profesionale, për të pasur kohë për t’u marrë me suksesin ose dështimin e projekteve të kaluara kinematografike.