Kompania “Victoria's Secret” e ka zbuluar listën e “llojllojshme” të fytyrave të reja, ku përfshihen Priyanka Chopra Jonas dhe Megan Rapinoe.
Priyanka, aktore 38-vjeçare indiane dhe mbrojtëse e të drejtave të komunitetit LGBT, dhe Megan, futbolliste 35-vjeçare, i janë bashkuar një grupi me “ikona të ndryshme” që janë angazhuar “për ta formësuar të ardhmen e markës”, ka raportuar revista “Page Six”.
Një burim ka bërë të ditur për revistën se gratë nuk do të shfaqen në të brendshme porse “do të jenë pjesë e podcastit dhe në materialet reklamuese të markës”.
Zakonisht, marka është promovuar nga disa supermodele të rangut të lartë, ato që kanë qenë të kontraktuara me markën, të njohura si Engjëjt e Victoria’s Secretit.
Të pyetur nëse Engjëjt do të mund të rikthehen në rilansim, shefi ekzekutiv i markës, Martin Waters, ka thënë: “Aktualisht, nuk është relevante kulturalisht”.
Waters, i cili është zgjedhur shef ekzekutiv në shkurt, pasi që ka shërbyer si udhëheqës i tregut ndërkombëtar të “Victoria’s Secret”, ka thënë për New York Times se marka “duhet të ndalojë që t’i paraqesë gjërat që duan burrat, por të bëjë më shumë gjëra për qejfin e grave”.
“E kam ditur se kemi nevojë ta ndryshojmë këtë markë tash e sa kohë, thjesht nuk e kemi pasur kontrollin në kompani për të bërë diçka të tillë”, ka shtuar ai.
Ish-shefja ekzekutive, Cynthia Fedus-Fields, ka shtuar se ndonëse “ka ardhur koha që engjëjt të largoheshin”, markës i është dashur që ta gjejë një mënyrë “për të ecur tutje, duke i mbajtur konsumatorët që i ka”.
Priyanka dhe Megan do t’i bashkohen modelistes sudaneze-australiane Adut Akech, skijatores Eileen Gu, modelistes braziliane transgjinore Valentina Sampaio, modeles së plotë Paloma Elesser dhe gazetares Amanda de Cadenet, të cilat është parashikuar që ta udhëheqin podcasting 10-episodësh, ku gratë do t’i rrëfejnë historitë e tyre.
Priyanka ka kohë që është mbrojtëse e të drejtave të grave dhe punon me UNICEF-in që nga vitin 2006.
Rapinoe është mbrojtëse e zëshme e të drejtave të komunitetit LGBTQIA+ dhe punon me Rrjetin Edukativ për LGBTQIA+.