Showbiz

Planet për filmin rreth sulmit në xhamitë në Zelandën e Re nxit kritika

Planet në tentativë për një film që rikthen në kujtesë reagimin e kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern, për vrasësin i cili pati vrarë disa besimtarë myslimanë, është pritur me kritika se nuk është fokusuar te viktimat që pësuan nga sulmi.

Mediumi “Deadline” ka raportuar se aktorja australiane Rose Byrne do të luajë Ardernin në filmin “They Are Us”.

“Deadline” ka njoftuar se filmi do ta ndjekë reagimin e Ardernit për sulmet dhe si njerëzit u mblodhën prapa mesazhit të saj të dhembshurisë dhe bashkimit, e thirrjes së suksesshme të saj për të ndaluar çfarëdo lloj arme gjysmëautomatike.

Ajo ishte përgëzuar për reagimin që pati dhënë, nga figura nga e gjithë bota, raporton AP.

Por, shumë në Zelandën e Re kanë ngritur shqetësime.

Aya Al-Umari, vëllai i së cilës ishte vrarë në sulm, ka shkruar në Twitter vetëm “Yeah nah”, një frazë në vend që nënkupton “Jo”.

Abdigani Ali, zëdhënës për Asociacionin e Myslimanëve të Canterburyt, ka thënë se komuniteti duhet ta dijë ngjarjen e sulmeve, por duhet siguruar se ajo tregohet në mënyrë të duhur.

Tina Ngata, autore, ka shkruar se vrasja e myslimanëve nuk duhet të jetë sfondi i filmit që bën fjalë për “forcën e një gruaje të bardhë”.