Showbiz

Filmi “Hitman's Wife’s Bodyguard” nxit kritika të ashpra

“Hitman's Wife’s Bodyguard” është përballur me kritika të shumta qysh para lansimit të tij në kinema, gjatë javës së ardhshme.

Filmi është vazhdim i “The Hitman's Bodyguard”, që ishte hit i verës së vitit 2017. Por disa kritikë kanë thënë se filmi nuk është e thënë që të merret shumë seriozisht, teksa të tjerëve nuk u ka bërë përshtypje.

“Filmi ‘Hitman's Wife's Bodyguard’ është thjesht 20 minuta më i shkurtër sesa pararendësi”, ka thënë kritiku Derek Smith.

Në vazhdimin e këtij projekti filmik paraqiten në rolet kryesore aktorët Samuel L Jackson, Salma Hayek dhe Ryan Reynolds, duke iu rikthyer roleve të mëhershme bashkë me aktorët, si Morgan Freeman dhe Antonio Banderas.

Por prania e yjeve të filmit nuk ka mjaftuar për Alonso Duralden nga “The Wrap”, i cili ka thënë se regjisori Patrick Hughes e ka krijuar një film edhe më të harrueshëm sesa i pari. Por pavarësisht vlerësimeve të dobëta, filmi ka dalë të jetë goxha fitimprurës.

Filmi i parë i kishte kaluar pritshmëritë, duke arkëtuar 177 milionë dollarë, pavarësisht publikimit të vonshëm në gushtin e 2017-s. Në të shpaloset historia e truprojës Michael Bryce (luajtur nga Ryan Reynoldsi) që ftohet ta mbrojë jetën e armikut të tij, vrasësit me pagesë Darius Kincaid (Samuel L. Jackson).

Këtë herë gruaja e Kinsaidit, Sonia (Salma Hayek) do të jetë në qendër të vëmendjes, pasi që treshja bashkohet kundër kryesorit të mafisë Aristotle Papadopolous (Antonio Banderas), plani djallëzor i të cilit rrezikon të shkaktojë kaos në Evropë.

Jon Defore nga “Hollywood Reporter” ka thënë se “skenaristët nuk e kanë vënë në pah se sa të aftë janë personazhet, se si ata mund të reagojnë në situata të tilla, ku nuk do të ishte keq po të ishte filmi më qesharak”.

“Por të qeshurat e herëpashershme mbyten në detin e aksionit dhe komedisë, që janë bërë bajate tashmë qe disa dekada. Këta aktorë meritojnë shumë më shumë e po kështu edhe adhuruesit e tyre”, ka theksuar ai.

Një analizë më pozitive është bërë nga Pete Hammond i revistës “Deadline”.

“Kjo treshe dinamike e jep më të mirën nga vetja, u garantohet një ditë e bukur pagese dhe, në përputhje me rrethanat, zjarr në të gjithë cilindrat. Për ata që duan t'i nënshtrohen kësaj marke sakatimi, yjet tanë e kanë bërë më argëtues sesa duhej”, ka shkruar Hammond.

“Hitman's Wife’s Bodyguard” është një prej disa filmave të rinj që po shfaqen në kinematë britanike, pas rihapjes së tyre muajin e kaluar.