Showbiz

“Loki”: Hiddleston thotë se “Marveli” ia ndryshoi jetën

Së pari Wandavision, mandej Falcon dhe Winter Soldier dhe tani Loki.

Studioja filmike “Marvel” ka sjellë heronj dhe të ligj në filmat e saj më 2021, porse Loki i Tom Hiddlestonit është me gjasë më i djallëzuari nga të gjithët.

Aktori Hiddleston ka thënë për “Radio 1 Newsbeat” se roli, të cilin e kishte marrë përsipër më 2011 “ia kishte ndryshuar jetën”.

“Ndihem shumë përgjegjës për ta nderuar dashurinë që Loki e gëzon nga publiku”, ka thënë ai gjatë premierës në Londër. “Thjesht më pëlqen shumë që ta luaj këtë rol. Ai është personazh i ndërlikuar dhe argëtues”.

Sikurse pjesa më e madhe e projekteve nga “Marvel”, Hiddleston thënë se të gjithë të përfshirë në seritë e reja televizive në “Disney+” është dashur që “ta kyçnin gojën” për t’iu shmangur zbulimit të ngjarjeve në film – gjë kjo që “druhet” ta bëjë.

“Më së miri është që t’i përpish lajmet dhe të vërtetat, dhe të mos flasësh derisa të vijë koha”, ka thënë ai. “Filmat ‘Marvel’ janë shumë të rëndësishëm për shumë njerëz dhe personazhet zënë vend të rëndësishëm te shumë njerëz. Mendoj se u pëlqen që të befasohen”.

Në klipet promovuese është konfirmuar se Loki i takon gjinisë asnjanëse. Por, kjo nuk ka qenë ndonjë befasi e madhe për fansat që i kanë lexuar librat – ngase një gjë e tillë ishte konfirmuar në libra në vitin 2014.

“Loki gjithmonë ka qenë asnjanës, ka qenë dikush që i kalon kufijtë dhe është i paparashikueshëm e i ndryshueshëm”, ka thënë Hiddleston. “Jam shumë i kënaqur që e kemi nxjerrë në pah këtë gjë në seri. Është privilegj i madh ta eksplorosh se kush është ai në mënyra të ndryshme”.

Image

Sikurse shumë filma dhe seri televizive, xhirimet për seritë e “Disney+” ishin pezulluar për pesë muaj, për shkak të pandemisë COVID-19.

“Kishte shumë njerëz prapa skene që një pjesë të madhe të këtyre muajve e kaluan duke krijuar një mjedis të sigurt, në të cilin do të mund të ktheheshim për të punuar dhe ta përfundonim punën e lënë në gjysmë”, ka thënë aktori, duke shtuar se ky ka qenë “një vit jashtëzakonisht i vështirë” për industrinë e filmit.

Karriera e Hiddlestonit ka filluar në teatër dhe ai ka pranuar se kurrë nuk do të arrinte në Hollywood po të mos ishte përvoja paraprake.

“I respektoj të gjithë ata që punojnë në teatër dhe në kinema”, ka thënë ai. “Shpresoj se do t’i rikthehemi normales – plot lumturi dhe pozitivitet. Mezi që pres”.