Këngëtarja Lorde po i kthehet skenës me muzikë të re, pas katër vjetësh pauzë.
Ylli i hitit “Royals” u ka premtuar fansave se shumë shpejtë do ta publikojë këngën e re të titulluar, “Solar Power”, pasi po planifikon ta shënojë rikthimin në muzikë pas lansimit të albumit “Melodrama” në vitin 2017.
Nuk dihen shumë detaje rreth këngës, por fansat tashmë i kanë vënë re ndryshimet e para në uebfaqen zyrtare të artistes.
Krahas fotografisë paralajmëruese të këtij projekti, Lorde ka shkruar: “Diçka e re po vjen në vitin 2021… Durimi është virtyt”.
Vitin e kaluar, Lorde i paralajmëroi adhuruesit e saj se gjatë vitit 2021 do të lansojë projekte të reja muzikore.
Këngëtarja 24-vjeçare, emri i vërtetë i së cilës është Ella Marija Lani Yelich-O’Connor, në tetor të vitit të kaluar e kishte shtyrë lansimin e albumit të tretë, pas ngordhjes së qenit të saj të dashur Pearl. Por nga atëherë ka punuar me shumë përkushtim për ta bërë gati këtë projekt.
Madje as pandemia e koronavirusit nuk e kishte ndalur të rikthehet në studion incizuese, për krijimin e këngëve të reja me producentin dhe muzikantin e njohur, Jack Antonoff.