Afërsisht katër vjet pasi Kevin Spacey u akuzua për herë të parë për abuzim seksual, aktori më në fund ka arritur ta fitojë një rol në filmin italian të regjisorit Franco Nero, “L’uomo Che Disegnò Dio”.
“Jam shumë i lumtur që Kevin ka pranuar të bëhet pjesë e filmit tim. Unë e konsideroj atë një aktor të mrekullueshëm dhe mezi pres t’i fillojmë xhirimet”, citohet të ketë thënë regjisori Nero për “ABC News”.
Besohet se roli i Spaceyt në film është i vogël, dhe ai do ta portretizojë një detektiv.
Franco Nero dhe bashkëshortja e tij, Vanessa Redgrave, besohet se do të luajnë në projektin 2 milionë dollarësh, i cili besohet se do të lansohet më 5 tetor të këtij viti.
Në përmbajtjen e tij filmi detajohet si një fabul mbi nevojën për të rizbuluar fuqinë e mrekullueshme të dinjitetit, në një botë ku zhurma e medias ka zgjidhur problemin e papërsosmërisë së njeriut, thjesht duke e mënjanuar vetë problemin.
Akuzat kundër yllit hollywoodian filluan në vitin 2017, kur një aktor i quajtur Anthony Rapp deklaroi se Spacey e kishte ngacmuar seksualisht kur ai ishte vetëm 14-vjeçar. Spacey i kishte kërkuar falje publike Rappit, ani pse ka deklaruar se nuk i kujtohet të ketë ndodhur kjo ngjarje, e cila supozohet se ka ndodhur gjatë kohës kur aktori ishte nën ndikimin e alkoolit.
Po ashtu në vitin 2017, Kevin Spacey u deklarua zyrtarisht si homoseksual, ani pse deklarata e tij u kritikua ashpër nga publiku i cili e akuzoi atë shfrytëzimin e këtij lajmi, për t’i shmangur akuzat kundër tij.
Afërsisht 15 persona të tjerë kanë bërë akuza të ngjashme kundër aktorit, prej kohës kur Anthony Rapp foli publikisht për përvojën e tij të hidhur. Megjithëkëtë asnjë prej këtyre akuzave nuk ka çuar në ndjekje penale të suksesshme.
Spacey vazhdon të deklarohet i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave për ngacmim seksual.