Showbiz

Scarlett Johansson do ta pranojë çmimin “Generation Award”

Foto: AP/Associated Press

Aktorja e njohur për portretizimin e heroinës “Black Widow”, Scarlett Johansson, do ta pranojë shpërblimin “Generation Aëard” në ceremoninë e sivjetme “MTV Movie & TV Awards”.

Kështu, aktorja 36-vjeçare i ndjekë hapat e yjeve tjera të filmave “Marvel”, Robert Downey Jr. dhe Chris Pratt, të cilët janë nderuar me këtë çmim në të kaluarën. Shpërblimi “Generation Award” është dizajnuar për t’i festuar aktorët e dashur kontributet e ndryshme të së cilëve në film dhe televizion i kanë bërë ata emra të shquar anembanë botës.

Ndër yjet e tjerë të nderuar me këtë çmim janë: Sandra Bullock, Tom Cruise, Jamie Foxx, Dwayne ‘The Rock’ Johnson, Will Smith dhe Reese Witherspoon.

Ylli i filmit “Lost in Translation” në të kaluarën ka qenë e nominuar gjashtë herë për shpërblim “MTV Movie & TV Awards”, kurse në vitin 2013 triumfoi në kategorinë “Përleshja më e mirë” për performancën e shkëlqyer në filmin “The Avengers”.

Lajmi për vlerësimin e Johanssonit vjen një javë pasi “MTV” njoftoi se çmimi special, “Gjeni i Komedisë”, këtë vit do t’i ndahet aktorit Sacha Baron Cohen.

Ylli i filmit “Borat” do të jetë aktori i katërt që e ka pranuar këtë shpërblim, derisa yjet e nderuar si “Gjeni të Komedisë” në të kaluarën ishin: Will Ferrell, Kevin Hart dhe Melissa McCarthy.

“MTV” e ka përzgjedhur Cohenin për këtë shpërblim ngase kanë dashur ta nderojnë një aktor i cili ka bërë kontribut të pakrahasueshëm në botën e komedisë, duke shënuar ndikim të madh përmes punës së tyre dhe e duke transformuar zhanrin në përgjithësi.

Sacha Baron Cohen po ashtu është nominuar në tri kategori të ceremonisë. Projekti i tij i fundit “Borat Subsequent Moviefilm” garon për çmimin “Filmi më i mirë”, dhe aktori bashkë me kolegen e tij Maria Bakalova janë nominuar në kategorinë “Dyshja më e mirë në film”. Ylli 49-vjeçr i kinematografisë po ashtu ka marrë nominim për çmimin “Performanca më e mirë” për rolin e tij në dramën “The Trial of the Chicago 7”.

Kurse seriali i platformës Disney+, “WandaVision”, në të cilën luajnë aktorët Elizabeth Olsen dhe Paul Bettany, kryeson me pesë nominime gjithsej, përfshirë këtu kategoritë “Seriali më i mirë”, “Heroi më i mirë”, “Performanca më e mirë në serial” dhe “Përleshja më e mirë”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 16 maj në teatrin “Palladium” të Los Angelesit, dhe do të prezantohet nga aktorja komike Leslie Jones.