Janë bërë të ditur emrat e dy muzikantëve të fundit të cilët do të performojnë në shoun, “Saturday Night Live”, me ç’rast edhe e shënojnë përfundimin e sezonit të 46-të të këtij emisioni shumë të ndjekur në Amerikë.
Ata janë Olivia Rodrigo dhe Lil Nas X.
Rodrigo do të performojë në skenën e këtij shou më 15 maj, teksa rolin e prezantuesit në atë edicion do ta ketë aktori i njohur komik, Keegan-Michael Key. Kurse Lil Nas X do të hijeshojë skenën e emisionit “SNL” të shtunën e 22 majit, krahas aktores së re por shumë të suksesshme, Anya Taylor-Joy, e cila vjen në rolin e prezantueses.
Sezoni i 46-të i emisionit humoristik “Saturday Night Live” ka përfshirë performanca nga artistë të njohur të muzikës, si Dua Lipa, Justin Bieber, Phoebe Bridgers, Bad Bunny, St. Vincent, Kid Cudi dhe të tjerë.
Ylli i njohur hollywoodian, Miley Cyrus, do të jetë mysafirja muzikore në episodin e radhës së këtij shou, i cili transmetohet live më 7 maj. Vëmendje të madhe në publik njëkohësisht edhe kritika, ka marrë fakti se këtë episod do ta prezantojë miliarderi Elon Musk.
Këtë vit, Olivia Rodrigo i ka lansuar dy këngë, “Drivers License”, e cila i solli suksese të jashtëzakonshme dhe theu rekorde në toplistat muzikore, dhe kënga e dytë e karrierës së saj “Deja Vu.” Të dyja këto projekte do të jenë pjesë e albumit debutues të kantautores, “Sour”, i cili planifikohet të lansohet me 21 maj të këtij viti.
Në anën tjetër, reperi Lil Nas X u rikthye në muajin mars me lansimin e hitit kontrovers, “MONTERO (Call Me by Your Name)”. Ai ka lënë të nënkuptohet se do të performojë këtë këngë në “Saturday Night Live”, dhe një projekt të ri muzikor.