Showbiz

Dua Lipa shkëlqeu në ngjarjen e përvitshme “Elton John AIDS Foundation”

Derisa pandemia e COVID-19 nuk arriti ta ndalojë Elton Johnin që ta organizojë ndejën e përvitshme e cila mbahet para ceremonisë “Oscar”. Në fakt, kjo pandemi e bëri kauzën e kësaj mbrëmjeje edhe më të vlefshme.

Marrë parasysh se kriza shëndetësore e shkaktuar nga koronavirusi ka ndikuar veçanërisht tek miliona njerëz të cilët luftojnë me SIDA-n anembanë botës, fondacioni i muzikantit të njohur britanik “Elton John AIDS Foundation” vazhdoi me organizimin e ndejës bamirëse në formatin virtual.

Në këtë ngjarje të mbushur me muzikë, komedi, intervista dhe edukim, Elton John shoqërohej nga aktori Neil Patrick Harris i cili shërbeu në rolin e prezantuesit, ylli i muzikës me prejardhje kosovare Dua Lipa e cila performoi gjatë mbrëmjes, dhe njëkohësisht paraqitje të shkurtra shënuan edhe Lady Gaga, Cynthia Erivo dhe miqtë e tjerë të famshëm të muzikantit.

Vetëm ngase ndeja nuk u mbajt në formën tradicionale me të ftuar të shumtë në sallë, kjo nuk e pengoi Dua Lipën që të vishej plot elegancë. Në fakt, ylli i muzikës pop i kishte zgjedhur dy fustane super glamuroze për paraqitjen e saj, dhe dukej saktë si një yll i hollywoodit.

{gallery}

Me plot sharm ajo i interpretoi hitet “Don’t Start Now”, “Levitating”, “Hallucinate” dhe “Pretty Please”, e shoqëruar në piano nga Elton John.

Kjo ishte hera e parë që John dhe Lipa interpretuan së bashku.

Në fund të performancës, Dua e cila vazhdimisht e ka shprehur admirimin për yllin britanik të muzikës, Elton John, tha: “Çfarë nderi dhe një ëndërr e shndërruar në realitet për mua. Elton, falemindërit që më ke ftuar të performoj me ty sonte”.

Për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, përkrahësit e fondacionit “Elton John AIDS Foundation”, janë ftuar ta ndjekin këtë ndejë të famshme që zë vend para ceremonisë së shpërblimeve prestigjioze “Oscar”, në formë virtuale.