Filmi i shumëpritur dhe me buxhet të lartë, “Dune”, ishte paralajmëruar se do të lansohet nëpër kinema në të njëjtën kohë me platformën HBO Max, por sipas raportimeve të fundit, një gjë e tillë mund të mos ndodhë.
Besohet se kompania që e ka bërë produksionin e filmit, “Legendary Entertainment”, ende nuk i ka aprovuar planet e studios “Warner Bros.” për ta lansuar projektin fantastiko-shkencor të regjisorit, Denis Villeneuve, nëpër kinema dhe në HBO Max, në të njëjtën kohë.
Sipas portalit “Deadline”, suksesi që filmi “Godzilla vs. Kong” e ka arritur në javën e parë të shfaqjes, e vërteton më së miri që filmat fantastiko-shkencorë duhet të lansohet direkt nëpër kinema.
“Godzilla vs. Kong” e arriti rekordin e ri në arkat filmike në kohë të pandemisë, duke e shënuar debutimin më të mirë në kinematë e Amerikës me 48 milionë dollarë të fituara, ani pse ishte lansuar njëkohësisht nëpër kinema dhe në platformën digjitale.
Regjisori i njohur hollywoodian, Denis Villeneuve, është deklaruar kundër idesë së lansimit hibrid të filmit të tij. Në dhjetor të vitit të kaluar, ai tha se studio “Warner Bros” e ka dëmtuar rëndë këtë projekt, me vendimin e tyre.
Edhe regjisori i filmit “Tenet”, Christopher Nolan, e ka kritikuar ashpër këtë vendim duke e quajtur jo të drejtë madje edhe e ka cilësuar platformën HBO Max si më të keqen që ekziston në treg.
“Ka shumë dilema rreth këtij veprimi, sepse ata nuk e kanë paralajmëruar askënd për këtë vendim. Është një çështje shumë e komplikuar në fakt. Kjo nuk është mënyra e duhur për t’i trajtuar regjisorët dhe yjet e hollywoodit, por edhe njerëzit në përgjithësi të cilët kanë dhënë shumë për realizimin e këtyre projekteve filmike. Të gjithë e meritojnë të jenë të përfshirë në diskutimet rreth asaj se çfarë do të ndodhë me projektet e tyre”, ka thënë Nolan.
Filmi “Dune” pritet të lansohet për publikun e gjerë më 1 tetor të këtij viti.