Këngëtarja 28-vjeçare, Demi Lovato, ka treguar se ishte përdhunuar kur ishte vetëm tinejxhere. Ajo ishte në lidhje me një mashkull me të cilin nuk kishte dashur të kryej marrëdhënie seksuale pasi ishte ende e virgjër, por pasi ai e kishte sforcuar për të bërë seks, Lovato e kishte fajësuar veten dhe e kishte vazhduar lidhjen me të edhe pas kësaj ngjarjeje traumatike.
“Kur isha adoleshente, kam përjetuar një ngjarje të ngjashme. Kam humbur virgjërinë time në një dhunim”, është shprehur këngëtarja mes emocionesh. “E mblodha veten nga kjo ngjarje, i thashë vetes se ishte faji im sepse unë kisha pranuar të shkoja në dhomë me të. Unë e vazhdova lidhjen me këtë person edhe për ca kohë”.
Ylli i njohur i muzikës, tutje zbuloi se ky incident e kishte bërë të fillojë ta lëndojë veten dhe i ka shkaktuar çrregullime në ushqyerje.
Në dokumentarin e saj të ri të titulluar “Dancing With The Devil” i cili e shënoi premierën të martën më 16 mars, këngëtarja Demi Lovato ka rrëfyer gjëra shumë serioze dhe intime, që nga shërimi nga mbidoza e drogave, por duke treguar gjithashtu edhe se ajo ishte sulmuar seksualisht nga dileri prej së cilit e blinte drogën.
“Unë jo vetëm që kam kaluar në mbidozë, por edhe jam shfrytëzuar seksualisht” ka thënë këngëtarja 28 vjeçare në dokumentarin e saj, duke iu referuar periudhës së muajit korrik të vitit 2018, natën kur nga doza e lartë e drogave gati sa nuk kishte vdekur.
Mikja e këngëtares, Sirah Mitchell, ka shpjeguar që atë natë Lovatos i kishin dhënë edhe heroinë, ku personi tjetër kishte menduar që ka vdekur duke e lënë vetëm dhe duke ikur.
“Kur unë u zgjova isha e zhveshur, ai më kishte përdhunuar dhe kishte ikur pastaj”, është shprehur ndër të tjera Lovato në dokumentarin e saj.
Këngëtarja e hitit “It’s OK Not To Be OK” ka treguar se kishte frikë të flasë hapur për atë që i kishte ndodhur si tinejxhere, ngase nuk ka qenë e sigurt që njerëzit do ta besonin.
Dokumentari “Dancing With The Devil” do të ketë premierën edhe në kanalin zyrtar të Lovatos në Youtube, me 23 mars.