Showbiz

Pas akuzave për abuzim seksual, reperi T.I humb rolin në filmin “Ant-Man”

Foto: AP/Associated Press

Reperi T.I. nuk do të rikthehet me rol në filmin e ardhshëm të studios “Marve”, me titull “Ant-Man and the Wasp: Quantumania”.

Reperi dhe aktori problematik nuk është pjesë e kastës së filmit të radhës, ka mësuar portali “The Hollywood Reporter”, por është e paqartë nëse kjo ndodhë për shkak të akuzave të fundit për abuzim seksual, me të cilat po përballen ai bashkë me gruan e tij, Tiny.

Të hënën më 1 mars, avokati i cili po i përfaqëson 11 viktima të supozuara, e akuzoi çiftin për disa krime përfshirë këtu abuzimin seksual, detyrimin e paligjshëm të viktimave të tyre të konsumojnë narkotikë, rrëmbim, shantazh përmes frikës, sulm dhe ngacmim.

Avokati, Tyrone A. Blackburn, po u kërkon autoriteteve në Kaliforni dhe Georgia, t’i fillojnë menjëherë hetimet ndaj çiftit.

T.I. dhe Tiny, përmes avokatit të tyre i kanë mohuar të gjitha akuzat, duke i quajtur ato të pabazuara.

Në filmin e vitit 2015, “Ant-Man” dhe atë të vitit 2018, “Ant-Man and the Wasp”, T.I. e portretizoi rolin e Daveit një mik i protagonistit Scott Lang, rol ky i luajtur nga aktori Paul Rudd. Dave i ndihmon atij në aventurat si superheroi Ant-Man, bashkë me shokët e tyre Luis, i portretizuar nga Michael Peña dhe Kurt, i sjell në ekran nga aktori David Dastmalchian.

“Ant-Man 3” është në zhvillim e sipër dhe “Marvel” ende nuk i ka caktuar datë të lansimit. Kjo do të thotë se ende ka kohë për të bërë ndryshime në film, përfshirë këtu ndërrimin e personazheve të përfshira në skenar.

Peyton Reed rikthehet në rolin e regjisorit të këtij vazhdimi të tretë të filmave “Ant-Man”, bashkë me aktorët protagonist, Paul Rudd, Evangeline Lilly, Michael Douglas dhe Michelle Pfeiffer.

Kastës së aktorëve u janë bashkuar edhe Jonathan Majors dhe Kathryn Newton, ndërsa skenarin po e shkruan Jeff Loveness.