Showbiz

Grupi “Little Mix” e ka shtyrë turneun “Confetti”

Descriptive Text

Grupi i njohur muzikor e ka bërë të ditur lajmin se po i shtyjnë data e koncerteve të turneut të tyre të ardhshëm, “Confetti”.

Vajzat e talentuara që e përbëjnë grupin e suksesshëm muzikor, Jade Thirlwall, Perrie Edwards dhe Leigh-Anne Pinnock, e kanë konfirmuar lajmin e hidhur për gjithë adhuruesit e tyre, përmes rrjeteve sociale. Ato kanë bërë të ditur se po e shtyjnë turneun për prill të vitit 2022, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Bendi i cili e lansoi albumin “Confetti” në nëntor të vitit të kaluar, në mesazhin e postuar online kanë shkruar: “Ju e dini sa shumë na pëlqen të bëjnë turne dhe të performojmë çdo natë për ju. Sidoqoftë, për shkak të pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit, ne duhet t’i japim prioritet mirëqenies sonë dhe të fansave, si dhe të kontribuojmë në parandalimin e COVID-19. Prandaj, me shumë trishtim ju lajmërojmë se turneu jonë ‘Confetti’ do të shtyhet për prill të vitit 2022. Të gjitha biletat e blerta tashmë do të jenë të vlefshme për datat e ricaktuara të koncerteve, dhe po e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i shtuar edhe disa koncerte për gjithë adhuruesit tanë në Cardiff”.

Pavarësisht kësaj pengese të fundit, grupi mbetet i përkushtuar për të bërë turne dhe për t’i performuar hitet e tyre të fundit, për gjithë adhuruesit anembanë botës.

“Mezi presim t’iu takojmë kur të jetë e sigurt të mbajmë koncerte live! Shumë dashuri nga vajzat e Little Mix”, shkruhej tutje në deklaratën e grupit.

Turneu “Confetti” do të jetë i pari për vajzat pas largimit të Jesy Nelsonit nga bendi. Pop ylli 29-vjeçar e bëri të ditur lajmin se po pushon përkohësisht nga grupi, për shkak të arsyeve personale mjekësore, teksa shpjegoi se të qenit yll i muzikës pop ka ndikuar keq në shëndetin e saj mendor.

Nelson i informoi adhuruesit e saj për këtë vendim me postimin e një mesazhi të gjatë dhe emocional në Instagram, ku shkruhej: “Pas një shqyrtimi të gjerë dhe me zemër të rënduar, kam vendosur të largohem nga grupi ‘Little Mix’. Nëntë vjetët e fundit si pjesëtare e grupit kanë qenë momentet më të mira të jetës sime, dhe së bashku kemi arritur suksese të jashtëzakonshme të cilët nuk i kisha menduar kurrë. E vërteta është se së fundmi, të qenit pjesë e një grupi muzikor ka ndikuar keq në shëndetin tim mendor. Po e kam të vështirë ta përballoj presionin e vazhdueshëm dhe pritshmëritë e njerëzve si anëtare e një bendi. Prandaj, kam nevojë të kalojë pak kohë me njerëzit që i dua, dhe të bëjë gjëra të cilat më bëjnë mua të lumtur.

Edhe anëtaret e tjera të “Little Mix” e ndanë lajmin e hidhur me ndjekësit e grupit në Twitter, ku shkruan se pas 9 vjetëve së bashku Jesy përfundimisht ka zgjedhur të largohet nga bendi, dhe derisa ato ndihen shumë të trishtuara nga vendimi i mikeshës së tyre, megjithatë e kuptojnë arsyen dhe e mbështesin plotësisht atë.

Jesy Nelson, së bashku me pjesëtaret tjera të bendit, Leigh-Anne Pinnock, Perrie Edwards dhe Jade Thirlwall, e kishte themeluar bendin “Little Mix” gjatë talent shout “The X-Factor” në vitin 2011, të cilin edhe e fituan në dhjetor të atij viti.