Showbiz

Harry dhe Meghan do të bëhen bashkë me familjen mbretërore në qershor

Foto: AP/Associated Press

Princi Harry dhe Meghan Markle, do të ribashkohen me familjen mbretërore gjatë kësaj vere.

Duka dhe dukesha e Sussexit thuhet se do të rikthehen në Britani të Madhe në qershor të këtij viti, për ta ndjekur ceremoninë zyrtare mbretërore, “Trooping of the Colour”, që tradicionalisht mbahet më 12 qershor, për ta nderuar ditëlindjen e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë.

“Plani aktual është që parada për nderë të ditëlindjes së mbretëreshës, të mbahet në Londër në formë normale, me përjashtim të faktit se do të duhet bërë disa akomodime të reja dhe rregulla që duhet ndjekur. Qëllimi dhe dëshira përfundimtare është që kjo ceremoni mbretërore të mbahet”, citohet të ketë thënë një burim për “The Sunday Times”.

Kjo do të jetë hera e parë që Princi Harry dhe Dukesha Meghan, të cilët e kanë një djalë së bashku, Archie, do të shihen në publik bashkë me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, që nga ngjarja “Commonweal Service” e cila u mbajt në mars të vitit të kaluar.

Në një intervistë të realizuar në muaji gusht, Harry kishte thënë se çifti kishte planifikuar ta vizitojë Britaninë e Madhe më shpesh, por është kufizuar shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Kjo po ashtu do të jetë vizita e parë e dyshes në Britani të Madhe, nga heqja dorë e obligimeve zyrtare të familjes mbretërore, dhe shpërngulja në Kaliforni. Thuhet se Princi Harry në fillim e urrente jetën në Los Angeles, por është shumë më i lumtur tani që familja është akomoduar në Santa Barbara.

Ndërkohë në muajin korrik, Meghan Markle, u bë lajm në mediat botërore me ta zbuluar lajmin se kishte pësuar abort spontan teksa ishte shtatzënë me fëmijën e dytë të çiftit.

Megjithëkëtë, së fundmi në media dhe portale të ndryshme po qarkullon lajmi se dukesha mund të jetë sërish shtatzënë, pasi në disa fotografi të realizuara nga paparazzit, ajo duket sikur po e fsheh barkun e fryrë. Ende nuk dihet nëse ky lajm është i vërtetë, pasi nuk ka konfirmime për një shtatzëni të radhës, por edhe nuk është për t’u çuditur nëse çifti i famshëm vendosë ta mbajë të fshehtë këtë lajm deri në lindje të fëmijës, marrë parasysh sa vëmendje merr çifti nga publiku, dhe sa e sulmuar ka qenë Meghan nga mediat në Britani të Madhe.