Showbiz

Shtyhet data e lansimit të filmit të animuar “The Boss Baby 2”

Studioja filmike “Universal” ka bërë të ditur të hënën se vazhdimi i dytë i filmit të animuar të realizuar në bashkëpunim me “DreamWorks Animation”, “The Boss Baby: Family Business”, po e shtynë datën e lansimit nëpër kinema nga 26 marsi në 17 shtator të vitit 2021.

Pas këtij vendimi, filmi tjetër i animuar “Bad Guys”, i cili ishte planifikuar të lansohej më datë 17 shtator, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Studiot filmike të hollywoodit po vazhdojnë t’i riaranzhojnë kalendarët e filmave të ardhshëm, për shkak të pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit, që po rezulton me mbylljen e shumë kinemave anembanë botës, dhe vonesat e realizimit të filmave.

“The Boss Baby 2” i ribashkon në ekran të madh regjisorin Tom McGrath dhe aktorin Alec Baldwin, i cili e huazon zërin e protagonistit në film. Lisa Kudrow dhe Jimmy Kimmel, po ashtu i përsërisin rolet e tyre si prindërit e Tedit dhe Timit. Kastës së aktorëve që i kanë huazuar zërat për personazhet e këtij projekti i bashkohen edhe: James Mardsen, Eva Longoria, Ariana Greenblatt, Amy Sedaris dhe Jeff Goldblum.

Filmi i parë “The Boss Baby” ishte lansuar në vitin 2017, në kohën kur studioja “DreamWorks Animation” ishte në pronësi të kompanisë “20th Century Fox”. Ai shënoi suksese të jashtëzakonshme në arkat filmike, duke i arkëtuar 500 milionë dollarë nga shfaqja nëpër kinematë botërore.