Showbiz

Johnny Depp largohet nga filmi “Fantastic Beasts”

Johnny Depp largohet nga filmi “Fantastic Beasts”
Foto: Getty Images
 

Aktori i njohur për publikun, Johnny Depp, ka bërë të ditur se po heq dorë nga roli i tij në filmin e ardhshëm, “Fantastic Beasts”, pas humbjes së rastit gjyqësor kundër gazetës britanike “The Sun”, e cila e kishte postuar një artikull ku e kishin quajtur aktorin “rrahës bashkëshorteje”.

Me postimin e një mesazhi në Instagram, Depp e informoi publikun se studioja filmike “Warner Bros” i ka kërkuar të heqë dorë nga roli i magjistarit të keq, Gellert Grindelwald, në filmin e suksesshëm të arkave filmike, “Fantastic Beasts”. Kështu aktori ka vendosur ta respektojë kërkesën e tyre, dhe është pajtuar me këtë vendim.

Tutje ylli kinematografik ka bërë të ditur se planifikon të apelojë ndaj vendimit të gjykatës në Londër, dhe se jeta dhe karriera e tij nuk do të definohen nga kjo situatë ligjore nëpër të cilën po kalon aktualisht, transmeton Koha..

Studioja “Warner Bros” po ashtu e ka postuar një deklaratë për media, përmes së cilës e ka konfirmuar largimin e Johnny Deppit nga ky projekt, si dhe ka bërë të ditur se në filmat e ardhshëm do të angazhohet një aktor tjetër për rolin e Grindelwaldit.

Vazhdimi i tretë i filmit “Fantastic Beasts” i bazuar në librat e autores J.K. Rowling, dhe i cili kthehet prapa në histori, para ngjarjeve të filmave “Harry Potter”, së fundmi i rifilloi xhirimet pas pezullimit të punës si pasojë e koronavirusit. Filmi pritet të lansohet nëpër kinematë botërore në vitin 2022.