Showbiz

Lady Gaga udhëheq nominimet “MTV EMA”, Dua Lipa konkurron për katër çmime

Descriptive Text

Këngëtarja e njohur amerikane, Lady Gaga, po i udhëheq nominimet e sivjetme për shpërblimet “MTV European Music Awards”, me shtatë nominime gjithsej.

Ylli i hitit “Born This Way” dominon në disa prej kategorive kryesore të kësaj ceremonie e cila zë vend më 8 nëntor, përfshire këtu kategoritë: “Artistja më e mirë”, “Kënga më e mirë pop” dhe “Videoklipi më i mirë” për duetin e saj me Ariana Granden, “Rain On Me”.

Kjo këngë po ashtu është nominuar për çmimet, “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Bashkëpunimi më i mirë”, transmeton Koha.

Grupi i djelmoshave nga Korea Jugore, “BTS”, dhe ylli kanadez i muzikës, Justin Bieber, gjithashtu janë në mesin e artistëve më të nominuar sivjet, me nga pesë nominime secili.

Në kategoritë kryesore të mbrëmjes, “Kënga më e mirë”, “Artistja më e mirë” dhe Kënga më e mirë pop”, po ashtu ka arritur të nominohet edhe këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa. Ylli i muzikës pop gjithashtu është nominuar në kategorinë “Performanca më e mirë britanike dhe irlandeze”, ku konkurron krahas artistëve, Dave, Harry Styles, grupit Little Mix dhe Stormzy.

Lipa nuk është shqiptarja e vetme e përfshirë në listën e nominimeve të sivjetme për çmim “MTV European Music Awards”. Rep artistja e njohur, Loredana, ka arritur të nominohet sërish në kategorinë në të cilën kishte triumfuar vitin e kaluar, “Performanca më e mirë zvicerane”. Loredana shquhet si një ndër artistet më me ndikim në industrinë e muzikës në Zvicër.

Edicioni i 27-të i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve muzikore, “MTV EMA”, do të mbahet më 8 nëntor të këtij viti. Adhuruesit tashmë mund t'i votojnë të preferuarit e tyre në uebfaqen mtvema.com, dhe votat pranohen deri më datë 2 nëntor.