Showbiz

Johnny Depp i entuziazmoi fansat në Cyrih

Ylli hollywoodian Johnny Depp parakaloi mbi qilimin e gjelbër të shtruar në kuadër të festivalit të filmit në Cyrih, ku e prezantoi dokumentarin e tij të ri që flet për jetën e muzikantit irlandez, Shane MacGowan.

Depp, i cili është mik i mirë me MacGowanin për më shumë se 30 vjet, tha se ka dashur ta realizojë dokumentarin “Crock of Gold: A Few Rounds With Shane MacGowan” për ta festuar jetën dhe karrierën e një burri të ndërlikuar, të cilin e konsideron të jetë një prej poetëve më të mirë në botë.

Dokumentari i realizuar nga regjisori Julien Temple dhe i cili aktorin Depp e sjell në rolin e producentit, e shtjellon jetën e 62-vjeçarit, Shane MacGowan, i cili ishte shkrimtar dhe muzikant i bendit të muzikës punk “The Pogues”.

Një numër i madh i fansave u mblodhën përreth qilimit të gjelbër në Cyrih, vetëm për ta takuar yllin e hollywoodit Depp, edhe pse këtë vit ata qëndronin në distancë më të largët se zakonisht, për shkak të masave të reja të sigurisë ndaj koronavirusit, transmeton Koha.

Johhny Depp e ndoqi këtë premierë së bashku me gruan e mikut të tij MacGowan, Victoria Mary Clarke.

Gjatë intervistave me gazetarët në këtë ngjarje, Depp i cili përveç si aktor njihet edhe për pasionin e tij për muzikën, citohet të ketë thënë se po i mungojnë performancat në skenë dhe se nuk është i sigurt si do të duken interpretimet live pasi të përfundojë pandemia.

Edicioni i 16-të i festivalit të filmit në Cyrih u përmbyll të dielën më 4 tetor.