Showbiz

Cardi B pjesë e fushatës reklamuese të markës “Balenciaga”

Descriptive Text

Rep artistja 27-vjeçare, Cardi B, është bërë fytyra e re reklamuese e markës së njohur “Balenciaga”.

Ajo e udhëheq fushatën e re reklamuese për shtëpinë luksoze të modës dhe përmes një postimi të fundit në Instagram, reperja ka treguar se ndihet shumë krenare që po e promovon këtë markë përmes ‘billboardave’ anembanë botës.

“Po e shihni fytyrën time në fushatën reklamuese të markës @Balenciaga! Më kujtohet si jam ndier kur e kam parë veten në billboardin e vendosur në sheshin ‘Times Square’ në New York City, por ta shohësh veten edhe në PARIS! Do të doja shumë të isha atje për ta parë reklamën personalisht”.

 

 

Në fotografinë e vendosur në ‘billboard’, Cardi shfaqet e veshur me një fustan të gjatë glamuroz, e shtrirë në një kopsht të mbushur me lodra fëmijësh. Fotografia ishte realizuar në Los Angeles gjatë kohës së karantinës, transmeton Koha.

Reperja e shquar për stilin e saj të veçantë, në të kaluarën ka bashkëpunuar me brendin “Fashion Nova” për ta krijuar koleksionin e saj të veshjeve, të cilat u shitën online. Po ashtu në fillim të këtij viti, Cardi u bë sërish bashkë me këtë markë të veshjeve, për t’i ndihmuar fansat e saj në këtë kohë të krizës së koronavirusit.

Ylli i hitit “WAP” dhe “Fashion Nova”, e kanë bërë të ditur lajmin se planifikojnë t’i dhurojnë 1 milion dollar për t’i ndihmuar personat në nevojë gjatë kësaj pandemia. Të hollat do të shpërndahen përmes 1 mijë kësteve.

Përmes një video të postuar në rrjetet sociale, reperja shpjegoi: “Nganjëherë t’i dhuron të holla për bamirësi dhe nuk je e sigurt nëse vërtetë shkojnë në duart e njerëzve. Unë jam bërë bashkë me markën ‘Fashon Nova’ për t’i ndihmuar të gjithë personat e prekur nga pandemia e koronavirusit. Shumë prej jush jeni duke pasur vështirësi t’i paguani faturat, të siguroni ushqim për familjet tuaja dhe të kujdeseni për gjërat themelore të cilat u nevojiten.”

Për të përfituar nga ky donacion, ndjekësit e Cardi B duhet ta dërgojnë një aplikacion me 250 fjalë të shkruara, ku e shpjegojnë mënyrën se si ky virus vdekjeprurës u ka ndryshuar jetën.