Shefat e “Jurassic World: Dominion” kanë porositur 18,000 teste të koronavirusit në mënyrë që të vazhdohet me xhirimin, dhe anëtarët e ekipit testohen tre herë në javë.
Puna në këtë film të njohur vazhdoi në Londër muajin e kaluar, me protokolle të rrepta sigurie. Anëtarët e ekipit dhe aktorët, ku përfshihen mes tjerësh edhe Bryce Dallas Howard, Chris Pratt, Laura Dern dhe Jeff Goldblum, testohen për koronavirus të hënën, të mërkurën dhe të premten. Në total, ku përfshihen edhe 150 vende për të dezinfektuar duart, dezinfektimin e setit të xhirimit çdo ditë, dhe qiramarrjen e tërë hotelit, në koston e produksionit janë shtuar afro 9 milionë dollarë, shkruan Female First.
Në setin e xhirimit punon një mjek tërë kohën, dhe katër punonjës mjekësorë matin temperaturat.
Të gjithë që po punojnë në film ishin izoluar për 14 ditë para se të arrinin në hotel dhe tani mund të ecin lirshëm nëpër tërë ndërtesën dhe t’i përdorin të gjitha hapësirat, pa nevojë për distancimin social, transmeton KOHA.
Edhe pse i gjithë ekipi jeton dhe punon së bashku në vende të mbyllura dhe nuk e takojnë askënd tjetër, thonë se gjëja me rëndësi është se të gjithë ndihen të sigurt dhe mund të punojnë lirshëm.