Showbiz

Tre persona akuzohen se kërcënuan gratë që denoncuan R. Kellyn për abuzim seksual

Tre persona janë akuzuar për tentim të ryshfetit dhe frikësim të grave të cilat akuzuan këngëtarin amerikan R.Kelly për abuzim seksual, përfshirë një burrë i cili dyshohet se i ka vënë flakën një veture në Florida.

Një mik i afërt me këngëtarin dyshohet se i ka ofruar një viktime 500,000 dollarë për ta mbajtur jashtë çështjes Kellyn, ndërsa një menaxher dhe këshilltar i tij ka kërcënuar se do të publikonte fotografi të një gruaje e cila kishte denoncuar atë.

Shoku i këngëtarit amerikan, Richard Arline, akuzohet se ofroi ta paguante një vajzë për të cilën mendonte se kishte shumë informata rreth Kellyt. Ndërsa Donnel Russell akuzohet për ngacmim të njërës prej viktimave të Kellyt dhe nënës së saj, pasi ajo kishte ngritur akuzën. Autoritetet thanë se Russell, menaxher dhe këshilltar i Kellyt i kishte dërguar avokatit të vajzës fotografi nudo të saj me një letër ku e kërcënonte se do t’ia publikonte, shkruan AP.

Prokurorët e përshkruajtën një tjetër person të akuzuar për shantazhim të dëshmitareve, si ish-gazetar. Ata thanë se 37-vjeçari, Michael Williams, ka udhëtuar për në Florida në qershor ku i ka vënë zjarrin një makine të parkuar jashtë një shtëpie ku viktimat po qëndronin.

Megjithatë, avokati i këngëtarit ka thënë se ai nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për të heshtur dëshmitaret.

“Ai nuk ka tentuar ta frikësojë askënd apo ta inkurajojë dikë të bëjë diçka”, ka shkruar avokati Steve Greenberg në Twitter.

Fituesi i çmimit Grammy ka thënë se nuk është fajtor për asnjë nga akuzat për sulme seksuale në Illinois, Minnesota dhe New York.

Akuzat kanë të bëjnë me sulme seksuale dhe shantazhime të vajzave nga Kelly. Ai po ashtu është i akuzuar për marrëdhënie seksuale të pambrojtur me një vajzë të mitur më 2015, pa i treguar fare se ishte i infektuar me herpes.