Këngëtarja e famshme amerikane, Kelly Clarkson dhe ish-burri i saj, Brandon Blackstock, duket se janë pajtuar ta ndajnë kujdestarinë e dy fëmijëve të tyre.
Ylli i hitit “Breakaway”, Clarkson kishte bërë kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshorti, njëherësh menaxheri i karrierës së saj muzikore, në qershor të këtij viti pas një martese shtatë vjeçare, transmeton Koha.
Tani, sipas dokumenteve zyrtare të gjykatës bëhet e ditur se 41-vjeçari Blackstock, është pajtuar me kërkesën e këngëtares 38-vjeçare për ta ndarë kujdestarinë e fëmijëve të tyre, River Rose dhe Remington Alexander.
Clarkson po ashtu ka kërkuar alimentacion, kthimin e mbiemrit të vajzërisë si dhe zbatimin e marrëveshjes paramartesore të çiftit tashmë të ndarë.
Sipas mediave të huaja, besohet se dyshja nuk po shkurorëzohet për ndonjë arsye specifike, por thjeshtë lidhja e tyre është shpenzuar.
Clarkson dhe Blackstock e kishin filluar lidhjen romantike në vitin 2011, ndërsa ishin kurorëzuar më 2013-ën.
Zhvillimet e fundit në shkurorëzimin e tyre vijnë pak kohë pasi u bë e ditur se, Clarkson tash e tutje ka vendosur t’i fokusojë energjitë në dy fëmijët e saj. Këngëtarja gjithashtu dëshiron të vazhdoj të jetë e afërt me dy fëmijët e tjerë të ish-burrit nga martesa e tij e parë, Savannah dhe Seth.
Ndërkohë, së fundmi u spekulua se pandemia e koronavirusit dhe pasojat e karantinës, janë ato që i kanë rritur problemet mes çiftit të famshëm të showbizit.
Kelly dhe Brandon, bashkë me fëmijët e tyre kanë qëndruar në karantinë në shtëpinë e tyre në Montana.
Në një intervistë të fundit të realizuar para se ta bënte publik lajmin e shkurorëzimit nga bashkëshorti, ylli i hitit “I Dare You” e kishte pranuar se jeta ka qenë mjaft e vështirë për të gjatë kohës së karantinës, kjo ngase i është dashur ta balancojë punën me angazhimet e shtëpisë.
“Sinqerisht, në këtë periudhë kam qenë e pushtuar nga emocionet e ndryshme. Është shumë e vështir të jesh prind i cili punon sepse pavarësisht karantinës, unë kam vazhduar t’i kryej të njëjtat punë dhe obligime. Dhe t'ju them të drejtën, ka qenë një eksperiencë tejet e lodhshme për mua, duke pastruar, përgatitur ushqime dhe duke iu përgjigjur të gjitha nevojave të fëmijëve të vegjël por edhe atyre që tashmë janë tinejxher. Që të gjithë i kanë ndjekur mësimet nga shtëpia, dhe unë duhej t’iu ndihmoja me detyra. Prandaj, po, ka qenë një periudhë e çmendur për mua.”
Roli i Clarksonit si nënë është shumë i rëndësishëm për të, për shkak se si fëmijë ajo e ka përjetuar braktisjen nga njëri prind dhe nuk dëshiron ta përsëris të njëjtin gabim.