Showbiz

Vdiq aktorja Kelly Preston, gruaja e yllit hollywoodian John Travolta

Descriptive Text

Kelly Preston, aktorja e cila ka luajtur në filma të tillë si, “Jerry Maguire” dhe “For Love of the Game”, ka vdekur në moshën 57-vjeçare.

Bashkëshorti i saj, ylli kinematografik John Travolta, njoftoi se Preston vdiq të dielën pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit.

“Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar po ju informoj se gruaja ime e bukur, Kelly, e ka humbur betejën dy vjeçare me kancerin në gji. Ajo ka luftuar me shumë guxim për jetën e saj, e rrethuar me dashuri dhe përkrahje nga më të dashurit e saj. Familja ime dhe unë do të jemi përherë falënderues ndaj mjekëve dhe infermiereve në qendrën 'Anderson Cancer Center', që janë kujdesur për të. Jeta dhe dashuria e Kellyt do të mbahet në mend përgjithmonë. Unë do të largohem për ca kohë nga jeta publike, për të qenë më afër fëmijëve të mi të cilët e kanë humbur njeriun e tyre më të dashur,” ka shkruar Travolta në mesazhin e tij të postuar në Instagram.

Lajmi për sëmundjen e aktores nga kanceri i gjirit erdhi si befasi për shumicën e njerëzve, zëdhënësit e saj e bënë të ditur përmes një komunikate të publikua në revistën “People”, që Preston ka zgjedhur ta mbajë private diagnozën dhe betejën e saj më kancerin.

Përveç rolin në filmin e vitit 1996, “Jerry Maguire”, Preston gjithashtu ka luajtur në filmat: “SpaceCamp”, “Twins”, “Jack Frost”, “For Love of the Game” dhe “View From the Top”, transmeton Koha.

Ajo ka luajtur krahas bashkëshortit të saj Travolta në filmin e vitit 2000, “Battlefield Earth” si dhe së fundmi në filmin e vitit 2018, “Gotti”, ku ajo e portretizoi Victoria Gottin, gruaja e bosit të mafisë, John Gotti, rol ky i luajtur në film nga John Travolta.

Preston dhe Travolta, të cilët vitin e kaluar e festuan përvjetorin e 28-të të martesës, i kishin tre fëmijë së bashku, vajzën Ella e cila është 20-vjeçare, djalin Benjamin që është vetëm 9-vjeçar dhe djalin Jett, i cili vdiq në vitin 2009 në moshën 16-vjeçare.