Showbiz

Demi Lovato ka qarë më shumë gjatë karantinës

Descriptive Text

Këngëtarja 27-vjeçare, Demi Lovato, ka deklaruar se dikur e kishte të vështirë t’i shprehte emocionet përmes lotëve, por për shkak të karantinës se imponuar nga pandemia e koronavirusit, Lovato e ka lejuar veten ta ndiejë tërësisht dhimbjen e shkaktuar nga problemet e kaluara në jetën e saj, dhe tani di si të jetë më hapur karshi ndjenjave të saj.

“Para karantinës, unë e kisha të vështirë të qaja. Kur isha vetëm 16-vjeçare, në kokën time e kisha programuar mendimin që do të qaja vetëm nëse njerëzit më paguanin. Por gjatë kohës së vetizolimit kam punuar shumë me veten, duke ia lejuar vetes ta ndiej dhimbjen e humbjeve që i kam pësuar në jetë, apo traumave që i kam përjetuar. Mendoj që aftësia ime për të qenë më e hapur dhe e cenueshme emocionalisht, dhe për të qenë më intime me njerëzit e tjerë është rritur dukshëm,” citohet të ketë thënë këngëtarja në një intervistë të fundit për revistën “Bustle”.

Demi Lovato thotë se ajo ka zgjedhur të punoj me veten për shkak se ka pasur kohë të lirë, gjatë krizës globale shëndetësore, transmeton Koha. Dhe e gjithë kjo eksperiencë i është dukur mjaft e bukur.

Pavarësisht se tek tash ka mësuar të qaj dhe t’i liroj emocionet që i ka përbrenda, ylli i hitit “Anyone” në të kaluarën është përballur me probleme të shëndetit mendor, dhe së fundmi ka deklaruar që mendon se është në rregull të kërkosh ndihmë profesionale kur ke nevojë për të.