Showbiz

Hanks: S’kam respekt për njerëzit që s’bartin maska

Descriptive Text

Aktori i njohur amerikan Tom Hanks nuk ka durim për ata që refuzojnë të bartin maskë në publik me shumë shtete që po tregojnë rritje të rasteve me COVID-19.

“Nuk e kuptoj. Thjesht s’e kuptoj. Është më e pakta që mund ta bëni”, ka thënë ai për “Associated Press” gjatë prezantimit të filmit të tij të ri “Greyhound”.

Fituesi i shumë çmimeve të njohura dhe bashkëshortja e tij, Rita Wilson, rezultuan pozitivë me koronavirus në muajin mars kur ishin në Australi. Në atë kohë, çifti kishte treguar se ndjen lodhje dhe ka pak ethe. Tashmë janë shëruar.

“Nëse ju s’mund të bartni maskën dhe të lani duart dhe të mbani distancë, nuk e kuptoj – s’kam respekt për ju”, ka thënë ai.

"Greyhound" bazohet në historinë e vërtetë të një komandanti të Marinës amerikane, anija e të cilit sulmohet nga nëndetëset e armikut. Hanks e luan rolin e protagonistit krahas aktorëve të tjerë të famshëm, si: Stephen Graham, Rob Morgan dhe Elisabeth Shue. Ylli i famshëm i Hollywoodit po ashtu e ka shkruar skenarin e filmit, regjinë e të cilit e ka bërë Aaron Schneider. Filmi "Greyhound" ishte planifikuar të lansohej nëpër kinematë amerikane më 12 qershor të këtij viti, por kjo datë është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. Kështu, të drejtat e transmetimit të projektit i janë shitur platformës Apple TV+, e cila ka vendosur ta lansojë atë në formë digjitale për publikun e gjerë, më 10 korrik të vitit 2020.